Miratohet Projektligji për dhënien në shfrytëzim te pronës së Komunës
Prishtinë, 6 korrik - Për herë të parë që kur ka nisur dialogu teknik me Serbinë, Zyra e Kryeministrit ka dorëzuar përpara Kabinetit Qeveritar Raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, i cili është dorëzuar në takimin e dytë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës nga Grupi i veçantë për normalizim.
Raporti evidenton të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel me autoritetet e Beogradit si dhe hapat dhe sfidat në realizimin e këtyre marrëveshjeve.
Ky raport paraqet tërësinë e të dhënave të pranuara nga ekipet teknike që kanë qenë të përfshira në procesin e dialogut, përkatësisht shpreh gjendjen aktuale në procesin e dialogut. Raporti do të dërgohet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe do të publikohet në mënyrë që të jetë i qasshëm edhe për publikun në të gjitha gjuhët zyrtare në Kosovë.
Edhe Projektligji për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.
Projektligji siguron shfrytëzimin efektiv të pronës së paluajtshme të komunës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritje të vlerës së pronës në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Projektligji krijon mundësinë për këmbimin e pronës dhe përfitimin e të drejtës së pronësisë mbi pronat të cilat administrohen nga institucionet e shtetit.
Gjithashtu Projektligji rregullon procedurën për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronave të paluajtshme të komunave si dhe bartjen e pronësisë së pronave të cilat administrohen nga AKP në pronësi të komunave.
Projektligj është ndryshim i madh në politikat e tanishme që i hapin rrugën zhvillimit të Komunave. Me këtë ligj fiton secila Komunë secili qytetarë.
Në kuadër të këtij synimi të zhvillimit ekonomik të komunave sot në mbledhjen e Qeverisë janë aprovuar kërkesat e Komunave Gjilanit, Ferizajt, Suharekës, Skenderajt, Deçanit, Junikut e Hani i Elezit, për shfrytëzimin e Pronës Publike me qëllim të zhvillimit të tyre.
Qeveria ka aprovuar shtatë (7) propozime të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që kanë të bëjnë me tërheqjen nga procesit i privatizimit të pronave të paluajtshme dhe dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme, për realizimin e interesit publik sipas kërkesave të komunave:
- Komuna e Gjilanit për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të Kombinatit Bujqësor Industrial – Gjilan në pronësi të komunës, të cilat aktualisht janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Gjilanit, respektivisht për sigurimin e lokacionit për “VARREZAT E QYTETIT”.
- Komuna e Ferizajt për tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave të ish Korporatës Bujqësore në pronësi të komunës, të cilat aktualisht janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Ferizajt, respektivisht për sigurimin e lokacionit për “Ndërtimin e një ambulance dhe një Shtëpie të Pleqve”.
- Komuna e Suharekës për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të Ndërmarrjes Shoqërore IGK “Ballkan” – Suharekë në pronësi të komunës, të cilat aktualisht janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik “Zhvillimit Ekonomik të Komunës”.
- Komuna e Skenderajt për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave shoqërore të OBT Produkt-Skenderaj, të cilat aktualisht janë nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Skenderajt, respektivisht për “PARKUN E BIZNESIT”.
- Komuna e Deçanit për tërheqjen nga procesi i privatizimit, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Deçanit respektivisht për ndërtimin e kompleksit memorial për të gjithë dëshmorët e komunës së Deçanit.
- Komuna e Junikut për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronave të Kooperativës Bujqësore – Junik në pronësi të komunës, me qëllim të realizimit të interesit publik në Komunën e Junikut, respektivisht për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
- Komuna e Hanit të Elezit për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Republikës së Kosovës për qëllim të realizimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe Planit Rregullues Urban.
Kabineti është njoftuar dhe ka diskutuar për pakon legjislative të reformës së administratës publike, në të cilën përfshihen Projektligji për administratën shtetërore, Projektligji për zyrtarët publik dhe Projektligji për pagat. Pas këtij shqyrtimi të sotëm ministritë gjatë 10 ditëve në vijim do të shqyrtojnë projektligjet dhe më pas do të sillen në Qeveri për aprovim. Kjo pako legjislative shënon reformën më të domosdoshme dhe më të madhe në vend.
Në vijim Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin e Programit legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas të cilit në këtë program do të përfshihet edhe Projektligji për ratifikimin e plotësim-ndryshimit të Marrëveshjes financiare për IPA 2015 në mes të Kosovës deh Bashkimit Evropian.
Sipas vendimit ka ndërruar edhe afati i miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, duke caktuar si afat të miratimit fundin e muajit nëntor.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë ministrin e Financave që të nënshkruaj Marrëveshjen ndërkombëtare “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale ‘Faza VI’”. Marrëveshja nënshkruhet me Qeverinë Zvicerane, e përfaqësuar nga departamenti Federal për punë të jashtme i cili vepron përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Marrëveshja është bashkëfinancim i palëve nënshkruese në të cilën Qeveria e Kosovës kontribuon me 10(dhjetë) milionë euro ndërsa Qeveria Zvicerane me 7.1 (shatë milion e njëqind mijë) franga zvicerane.
Aprovimin në parim e ka marr edhe nisma për negocimin e marrëveshjes për bashkëfinancim për “Përkrahje për mundësitë e zhvillimit bujqësorë dhe rural në Kosovë” ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të përfaqësuara nga USAID.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.15/158 të datës 29.11.2013 për Ndryshimin e Kushteve të hyrjes dhe Regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës, sipas të cilit, në pikën 4 të këtij vendimi hiqet termi “biometrik”.
Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin dhe krijimin e servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projekteve për ndërtimin e linjave ajrore kabllore 110 kilovoltshe dhe 220 kilovoltshe për kyçjen e nënstacioneve në komunat Rahovec, Suharekë, Drenas, Prishtinë, Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.
Për shqyrtim të mëtejmë është aprovuar kërkesa për shpronësim publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit “Renovimi dhe Ndërtimi i objekteve për nevojën e selisë qendrore të Federatës së Futbollit të Kosovës” në zonën kadastrale Prishtinë.
Qeveria ka miratuar Planin e veprimit për zbatimin e Direktivës së Komisionit Evropian për shërbimet në tregun e brendshëm sipas Ligjit për shërbime.
Zbatimi i Ligjit për shërbime është i rëndësishëm dhe do të plotësojë edhe një standard të kërkuar nga BE-ja për liberalizimin e tregut të shërbimeve.
Transpozimi i kësaj direktive e ndihmon eliminimin e barrierave ligjore dhe administrative për ofruesit e shërbimeve dhe thjeshtëzon masat që do ta bëjnë dukshëm më të lehtë funksionimin e ofruesve të shërbimeve dhe e rrit transparencën e bizneseve dhe konsumatorëve kur ata e ofrojnë ose përdorin shërbime.
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Koncept dokumentin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore dhe Koncept dokumentin për Ndërmjetësimin e kontesteve në fushën e të drejtës së Autorit dhe të drejtave të përafërta.
Qeveria ka vendosur pro vendimit për miratimin e nismës për nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët – “Parimet e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacionit për zbatimin e ligjit” midis Qeverisë së Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga ministria e Punëve të Brendshme dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në mbledhjen e sotme është miratuar Plani i veprimit për racionalizimin e agjencive të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Rishikimi sipas këtij plani është rezultat i një konference të përbashkët të përfaqësuesve të Kuvendit, Qeverisë, Zyrës së BE-së në Prishtinë, përfaqësuesit e Komisionit Evropian nga Brukseli, shoqëria civile dhe mediat.
Me propozimin e kryeministrit, Qeveria ka ndarë mjete për mbështetjen e programeve rehabilituese për invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ministri i Financave ka informuar kabinetin qeveritar për dinamikën e realizimit të buxhetit për vitin 2018. Sipas informatës të hyrat dhe shpenzimet kanë trend pozitivë dhe premtojnë qëndrueshmëri buxhetore për këtë vit.
Ministri i Financave ka deklaruar se shumë shpejt kabineti qeveritar do të pranojë raportin e detajuar të gjashtëmujorit të vitit 2018.