16 Maj 2024

Miratohet Projektligji për buxhetin e vitit 2012

Prishtinë, 20 dhjetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e sotme pas votimit për 57 amandamentet, me 63 vota për, 47 kundër dhe asnjë abstenim e ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2012.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Safete Hadërgjonaj ka thënë se grupet punuese kanë shqyrtuar 86 kërkesa buxhetore, 8 amandamente dhe 3 rekomandime të komisioneve funksionale.

Ajo ka kërkuar nga deputetet që t’i miratojnë amandamentet e propozuara dhe ta miratojnë si tërësi Ligjin për buxhetin.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë paralajmëruar që në fillim se nuk do ta votojnë këtë projektligj, anipse disa prej amandamenteve kanë thënë se janë të mirë dhe i shërbejnë përmirësimit të buxhetit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani ka thënë se LDK-ja e ka paraqitur variantin e saj për nje buxhet alternativ, mirëpo nuk është përfillur, pasi që Qeveria dhe partia në pushtet i ka politikat dhe programin e vetë që mendon ta realizojë përmes këtij buxheti.

“Meqenëse jemi parti politike, kemi programe të ndryshme politike, edhe votimi do të jetë politik”, ka thënë Osmani.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se disa prej amandamenteve e bëjnë më të mirë këtë ligj, sidomos ato që përmirësojnë disa padrejtësi që, sipas tij, janë bërë ndaj disa agjencive.

“Megjithatë konsiderojmë se prapë nuk është i mirë dhe rrjedhimisht nuk mund ta votojë si tërësi, edhe pse disa prej amandamenteve janë të pranueshme për ne”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa, deputetja e kësaj lëvizje, Alma Lama ka thënë se nuk e voton këtë buxhet, pikërisht për faktin se nuk është marrë parasysh Spitali Onkologjik, në të cilin presin për shërim dhjetëra pacientë.


Buxheti i rregullt për vitin 2012 është në vlerë prej 1 miliardë e 520 milion eurove, që paraqet një rritje prej rreth 7.6% krahasuar me buxhetin e projektuar për vitin 2011.

Ngjashëm me vitet tjera pjesë e shpenzimeve të përgjithshme të Qeverisë janë edhe pagesa e interesit për huamarrje në vlerë prej 13 milion euro si dhe kredia e planifikuar për ndërmarrje publike në vlerë prej 15 milion euro, duke e ngritur vlerën e përgjithshme të shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2012 në 1,533 milion euro.

Një buxhet i tillë i ofron Kosovës, një stimulim shtesë që do të rezulton me një rritje të parashikuar ekonomike prej rreth 5.0% në vitin 2012.

Procesi përgatitor për projektbuxhetin 2012 është zhvilluar brenda kuadrit të rregullt buxhetor, siç parashihet edhe me Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Janë zhvilluar dëgjime të rregullta buxhetore dhe janë harmonizuar kërkesat e të gjitha organizatave buxhetore në përputhje me prioritetet zhvillimore.

Ky buxhet vjen si rezultat i një pune integrale të të gjitha institucioneve ekzekutive të vendit tonë, dhe i përgjigjet saktësisht kërkesave të përcaktuara në nenin 21 të Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.

Po ashtu, Ministria e Financave gjatë të gjitha fazave të hartimit të buxhetit ka qenë e përkushtuar edhe në transparencën ndaj qytetarëve të Kosovës. Ku të gjithë qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë e përcjellës së raporteve mbi ekzekutimin e buxhetit qoftë në baza mujore apo tremujore, dhe në të njëjtën kohë kanë pasur qasje në buxhetin i cili është aprovuar sot në Kuvendin e Kosovës, që nga momenti kur është aprovuar në Qeveri.

Në përputhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, 2012-2014 dhe Planin Ekonomik të Qeverisë së Kosovës, edhe buxheti për vitin 2012 reflekton prioritetet kryesore Qeverisë.

Në bazë të të dhënave aktuale ekonomike të ofruara edhe publikisht nga Institucionet gjegjëse brenda Qeverisë së Kosovës, nga Banka Qendrore e Kosovës, po edhe nga institucione tjera ndërkombëtare, Ministria e Financave vlerëson se Bruto Prodhimi Vendor gjatë vitit 2011 pritet të rritet me një normë reale vjetore prej 5.3%.

Ministria e Financave ka qenë shumë e kujdesshme në projeksionet e saj të ambientit makroekonomik duke pasur parasysh zhvillimet ekonomike në Eurozonë dhe ndikimin potencial që kjo krizë mund ta ketë në ekonominë e Kosovës.

Mbi këta parametra makroekonomik, Ministria e Financave me departamentet përkatëse ka bërë edhe parashikimin e të hyrave buxhetore dhe ka përcaktuar hapësirën e mundshme shpenzuese përgjatë vitit 2012, por edhe përgjatë viteve vijuese.

Një nga stimujt kryesor të rritjes pritet të vijë nga shtimi i investimeve kapitale, të cilat janë buxhetuar në vlerën prej € 617 milion gjatë vitit 2012, apo rreth 15 % më të larta se niveli i parashikuar i realizimit të shpenzimeve për vitin 2011.

Ndërsa që në të njëjtën kohë investimet private pritet të rriten me një normë më të ulët krahasuar me vitin 2011, si rezultat i pritjeve për rënie të investimeve të huaja direkte dhe efektit të tyre në investimet e përgjithshme private në Kosovë.

Mbi bazën e këtyre parashikimeve Ministria e Financave ka bërë edhe parashikimin e të hyrave buxhetore dhe ka përcaktuar hapësirën e mundshme shpenzuese përgjatë vitit 2012, por edhe përgjatë viteve vijuese.

Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2012 janë parashikuar të jenë në vlerë prej €1,361 milion, apo rreth 4.0% më të larta sesa të hyrat e rregullta për vitin 2011. Nga këto të hyrat, doganat e Kosovës pritet që të grumbullojnë €867 milion ndërsa të hyrat nga tatimet vendore pritet të arrin vlerën prej €288 milion.

Përpos këtyre të hyrave të rregullta dhe të burimeve tjera të të hyrave, pritet që të trashëgojmë edhe një bilanc pozitiv bankar prej rreth 120 milion euro nga ky vit, çka do të përdoret si burim shtesë i financimit.

Shpenzimet për paga dhe mëditje janë në vlerë prej 407 milion euro, shifër kjo që paraqet një ngritje prej 5.4% në krahasim me vitin 2011.

Buxheti i paraparë për subvencione dhe transfere kap vlerën prej 282 milion euro, vlerë e cila nëse krahasohet me vitin paraprak shënon një ngritje prej 4.4%. Kategoria e transfereve sociale është rritur si rezultat i përfshirjes së fondeve për implementimin e Ligjit të Pensioneve e poashtu është marrë parasysh edhe shtimi natyror i përfituesve që mbulon ky ligj.

Ndërsa sa i përket subvencioneve për Ndërmarrjet Publike, janë ndarë mjete për financimin e RTK-së në përputhje me Ligjin e aprovuar për këtë organizatë si dhe mbështetje për furnizim të rregullt me energji elektrike.

Ndërsa, shpenzimet për mallra dhe shërbime në vitin 2012 janë paraparë të jenë në nivelin prej 198 milion euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej 5.9% në krahasim me vitin paraprak, me qëllim të sigurimit të shërbimeve kualitative dhe të vazhdueshme publike.

Ngjashëm me vitet e kaluara, edhe buxheti për vitin 2012, ruan nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, me pjesëmarrje prej rreth 40 % në buxhetin e tërësishëm, që mund të themi që kemi nivelin më të lartë të pjesëmarrjes krahasuar me shtetet e regjionit ku kjo pjesëmarrje sillet në mesatare rreth 15%.

Ky nivel i lartë dëshmon për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vazhdimin e projekteve të rëndësishme kapitale të filluara gjatë këtij viti dhe të cilat pritet të vazhdojnë edhe në vitet vijuese si dhe të kenë rol të rëndësishëm në krijimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Shpenzimet kapitale janë parapare të jenë 617 milion euro, shifër e cila përfaqëson një ngritje prej afro 15% në krahasim me vitin 2011.

Kjo ngritje e theksuar në këtë kategori të shpenzimeve reflekton kryesisht vazhdimin e projektit të autostradës e cila përfshinë shumën prej rreth 294 milion euro apo rreth 50% të kësaj kategorie te buxhetit.

Ndërsa që vlera tjetër prej rreth 322 milion euro, nga kjo kategori e shpenzimeve që shënon një rritje prej mbi 11% krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar që është dedikuar për implementimin e projekteve tjera kapitale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)