16 Janar 2025

Miratohet plani vjetor i punës së qeverisë për vitin 2013

Prishtinë, 26 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka miratuar Planin Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2013 i hartuar nga Zyra e Kryeministrit. 

Duke e prezantuar këtë dokument të rëndësishëm para kabinetit qeveritar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se  Plani Vjetor i Punës së Qeverisë për vitin 2013 përmban prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilat janë pjesë e Programit të Qeverisë 2011-2014, Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2013-2015, Deklaratës së Prioriteteve të Qeverisë për vitin 2013, prioritete këto të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, social dhe institucional të Republikës së Kosovës.

“Përkrahja e Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik, Qeverisja e Mirë dhe Fuqizimi i Sundimit të Ligjit, Zhvillimi i Kapaciteteve Njerëzore dhe Rritja e Mirëqenies Sociale janë prioritete strategjike të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës për vitin 2013”, theksoi z. Kuçi , duke shtuar se këto objektiva mbështeten në buxhetin e dedikuar si dhe në politikat të cilat Qeveria synon t`i realizoj.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar Projektligjin për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje (MMHP), Projektligjin për Treguesit Gjeografik (MTI), dhe Projektligjin për Tarifat e veçanta të akcizës në prodhimet e alkoolit (MF).

Po sot janë miratuar Rregullorja për planifikimin e trajnimeve dhe koordinimin e donacioneve për trajnimet e institucioneve të Sigurisë Publike të cilat organizohen dhe mbahen në Akademia e Kosovës për Siguri Publike (MPB), Rregullorja për Kodin e Etikës në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (MPB) dhe Rregullorja  për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK).

Qeveria ka miratuar Planin e  Veprimit për negocimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim propozuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane .

“Ky plan i veprimit përbënë dokumentin kyç të Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian” ka thënë zëvendësministri Gëzim Kasapolli.

Me këtë dokument përcaktohen aktivitetet e institucioneve shtetërore drejt adresimit të të gjeturave të Studimit të Fizibilitetit, si dhe negociimit dhe përmbushjes së obligimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Në takimin e sotëm është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.  Po ashtu janë miratuar Koncept-dokumentet për Ministrinë ë  Financave (MF) dhe Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

Në bazë të propozimit të Ministrisë së Financave, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në pajtim me nenin 13 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2012 (MF). 

Në mbyllje, kryeministri Thaçi ka njoftuar kabinetin qeveritar me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it, që po zbatohet suksesshëm në dy pika kufitare me Serbinë.  Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se me 31 dhjetor IBM-i do të nis së zbatuari edhe në dy pika kufitare, në Bërnjak dhe tek Dheu i Bardhë.

“Prandaj, gradualisht mund të them lirisht se pikat doganore dhe kufitare me Serbinë, do të funksionalizohen dhe do të hyjnë në një proces për herë të parë normal, të funksionimit ndërshtetëror mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë” ka theksuar kryeministri Thaçi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)