Miratohet plani i veprimit kundër korrupsionit për 2013-2017
Prishtinë, 21 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projekt Strategjin dhe Planin e Veprimit Kundër Korrupsionit për vitin 2013-2017.
Kjo strategji është përgatitur nga Agjencia kundër Korrupsionit në bashkëpunim me institucionet e tjera publike dhe organizatat e shoqërisë civile.
Qëllimi i Strategjisë është reduktimi progresiv dhe i qëndrueshëm i korrupsionit, forcimi i integritetit dhe ndërtimit të besimit te qytetarët për institucionet e qeverisjes publike dhe promovimin e parimit të tolerancës zero ndaj korrupsionit në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të luftimit të korrupsionit.
Me këtë Strategji dhe Plan të Veprimit synohet të arrihet:
Rrritje e integritetit, llogaridhënies dhe transparencës së legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, forcimi i bashkëpunimit midis këtyre institucioneve si dhe forcimi i kapaciteteve kundër-korrupsion të institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal;
Krijimi i kushteve për një ekonomi të çliruar nga praktikat korruptuese dhe minimizimin i mundësive korruptuese në ekonomi;
Rrritja e rolit dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në mbikëqyrjen e procesit nga ana e publikut; rritja e mbikëqyrjes parlamentare të politikave kundër korrupsionit; zhvillimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e parandalimit dhe luftën kundër korrupsionit.
Strategjia do t\'\'\'\'iu ndihmojë strukturave qeverisëse për të ndryshuar kulturën institucionale të tyre kundër korrupsionit. Kjo kërkon angazhim pro-aktiv nga të gjitha institucionet publike, organet e tjera të pavarura, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar.
Rishikimi dy-vjeçar i Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë do të kryhet nga Agjencia Kundër Korrupsioni, në mënyrë që të lejojë përshtatjen e Strategjisë dhe Planit të Veprimit me realitetet e reja dhe nevojat e vendit.
Projektstrategjia do të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren e punës së Komisionit Qeveritar për të drejtat e ish të burgosurve, ish të dënuarve dhe të ish të përndjekurve politikë.
Kjo Rregullore përcaktohet mënyra e punës, organizimit, fushëveprimin dhe funksionimin e Komisionit Qeveritar për të drejtat e ish të burgosurve, të ish të dënuarve e të ish të përndjekurve politikë, i cili themelohet me vendim të qeverisë, sipas Ligjit për të drejtat e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politik. Komisioni do të përgatit listën përfundimtare me kategoritë e personave, të cilët fitojnë statusin: ish i dënuar politik; ish i burgosur politik; apo ish i përndjekur politik
Komisioni i përcakton kushtet, kriteret, llojin dhe mënyrën e zhdëmtimit (kompensimit) të ish të burgosurve, të ish të dënuarve dhe të ish të përndjekurve politikë, me procedurë të caktuar me ligj.
Qeveria e Kosovës konsideron se këto kategori të shoqërisë kanë të drejtë në rehabilitim juridik, moral, shoqëror e politik për pasojat e burgosjes, të dënimit, dhe të trajtimit të padrejtë dhe ti gëzojnë të drejtat e tyre të veçanta nga sigurimi pensional dhe invalidor, të drejtat në kompensim për dëmtimin e shkaktuar si pasojë e burgimit, e dënimit ose e persekutimit dhe të drejtat e anëtarëve të familjes së ngushtë të tyre.
Edhe Rregullorja për Metodologjinë e Hartimit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë e cila përcakton metodologjinë për hartimin dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së popullatës, të mirave materiale dhe kulturore nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, është miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar.
Projekt-rregullorja ka për qëllim që të adresoj të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me metodologjinë e vlerësimit të rrezikshmërisë si fazë e parë për aplikimin e masave paraprake të parandalimit në të gjitha fushat dhe hartimin e planeve përkatëse emergjente për përballimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera të cilat mund të paraqiten në vendin tonë.
Me vendimin e miratuar sot, Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 000 euro, që në kuadër të shënimit të Njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të ribotohen kompleti i veprave të simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që nga rezervat shtetërore të ndaj mjetet e nevojshme për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin që 28 nëntori, e mërkurë, të jetë ditë feste në Republikën e Kosovës, për nderë të Ditës së Flamurit dhe njëqind vjetori i shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.