Miratohet nisma për marrëveshjen e sigurimeve sociale me Zvicrën
Prishtinë, 13 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar nismën për negociimin e marrëveshjes për sigurime sociale mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se efektet pozitive që do të dalin nga kjo marrëveshje janë të mëdha për qytetarët e Kosovës të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër.
Qytetarëve të dy shteteve do tu mundësohet lëvizja e lirë që të punojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe të drejta tjera nga fusha e sigurimit social. Në veçanti, me këtë marrëveshje, qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën e Zvicrës do tiu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që pensionin e tyre ta marrin në shtetin e tyre, pra në shtetin e Kosovës."
"Në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do tu mundësohet e drejta për ti bashkuar edhe periudhat kontributive. Me miratimin në parim të kësaj nisme nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si bartëse e këtij procesi në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, sikurse Ministria e Jashtme, do të angazhohet në negocimin e kësaj marrëveshje duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera të aplikueshme."
"Miratimi i kësaj nisme e autorizon Ministrinë që të filloj menjëherë negocimin e marrëveshjes për sigurime sociale mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, negociata që parashihet të fillojnë javën e ardhshme, tha ministri Abrashi.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi rëndësinë e kësaj marrëveshje, e cila adreson problemet e qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër.
Unë e konsideroj se është një hap shumë i rëndësishëm, sepse ka pas shumë probleme sa i përket sigurimeve sociale me Zvicrën dhe mendoj se është një sukses i Qeverisë që ne ta përmbyllim këtë proces tepër të rëndësishëm që drejtpërdrejt adreson problemet e qytetarëve tanë që kanë punuar atje, tha kryeministri Mustafa.