Miratohet marrëveshja për themelimin e Fondit të Ballkanit
Prishtinë, 7 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku palë kontraktuese janë vendet e Vishegradit, Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia.
Fondi i Ballkanit Perëndimor ka për qëllim që të promovoj zhvillimin dhe bashkëpunimin në mes të shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, forcimin e lidhjeve bilaterale në mes të këtyre vendeve, mbështetjen e integrimit në Bashkim Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe prezantimin e përbashkët të palëve nënshkruese në vendet e treta.
Pjesë e këtij vendimi ishte edhe ndarja e mjeteve financiare në vlerë prej 30 mijë eurosh të cilat i paguan MPJ për të përmbushur nga ana e shtetit kontributin financiar për pjesën operacionale të vitit 2016 me Fondin e Ballkanit Perëndimor me seli në Tiranë.
Kryeministri Isa Mustafa, gjatë mbledhjes, ka folur për rishpërndarjen e mjeteve që po teprojnë të cilat nuk mund të shpenzohen nëpër ministritë përkatëse dhe nëpër komuna.
I kemi disa nevoja shumë të mëdha veçmas te veteranët dhe disa shpenzime që në disa pagesa që duhet ti bëjmë, do të thotë edhe ministrive që u kemi marrë mjete gjatë rishikimit të buxhetit duhet ti kthejmë te disa pagesa.\"
\"Unë kisha lutur ministrat përkatëse që të bëni përpjekje maksimale dhe të vlerësoni se sa mjete do të shpenzoni gjatë këtij viti, në mënyrë që mjetet të cilat nuk mund ti shpenzoni ti rishpërndajmë për këto nevoja, që janë nevoja themelore.\"
\"Unë jam për atë që ne të bëjmë përpjekje që deri të premten ta bëjmë këtë dhe të premten ta mbajmë edhe një mbledhje të Qeverisë në mënyrë që të krijojmë kushte që edhe disa komuna që kanë pagesa dhe disa detyrime tjera që i kemi ti kryejmë. Çështja e dytë ka të bëjë me Buxhetin për vitin 2017.\"
\"Ne e kemi aprovuar në Qeveri por po ashtu të bëjmë edhe njëherë përpjekje që çka kemi për ndarjen e barabartë të buxhetit ose për ministritë dhe komunat të bëhen përpjekje maksimale që edhe ajo të arrihet, në mënyrë që buxheti të shkoj.\"
\"Është mirë që e ka kaluar Komisionin Parlamentar, por unë konsideroj që asnjë arsye nuk e kemi që të mos kemi krejtësisht një trajtim të barabartë për gjitha nevojat që ne vlerësojmë dhe ti ndihmojmë edhe Komisionit Parlamentar edhe Kuvendit që ai të kaloj sa më shpejtë, tha kryeministri Mustafa.