Miratohet marrëveshja me Kfw për financimin e ngrohjes komunale
Prishtinë, 7 tetor - Qeveria e Kosovës sot ka miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes plotësuese ndërkombëtare, në vlerë prej katër (4) milionë euro, me Bankën Gjermane për Zhvillim (Kfw) për financimin e projektit Përmirësimi i sistemit të ngrohjes komunale.
Vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për ekzekutimin e vendimeve P.nr. 690/2014 të datës 01.06.2015 dhe E.nr. 212/2009 të datës 16.12.2014 për dëmet e shkaktuara nga trazirat e datës 17 dhe 18 mars 2004 si dhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Komunën e Shtërpcës për ekzekutimin e vendimit P.nr 76/2014 të datës 25.06.2014, janë shtyrë për trajtim në një mbledhje tjetër.
U aprovua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për dëmet e shkaktuara nga zjarri në shkollën fillore Shefki Kuleta në fshatin Halabak, Komuna e Podujevës dhe blerje të inventarit për shkolla.
Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare, për mbulimin e minusit në paga për muajin Shtator 2015 për komunat: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Junik dhe Zubin Potok.
Ministri i Komuniteteve dhe Kthimit ka prezantuar raportin për pjesëmarrjen në konferencën e dytë rajonale, e zhvilluar më 21 dhe 22 shtator 2015 në Malin e Zi. Konferenca është organizuar nga OSCE dhe është mbështetur nga UNHCR.
Ministri pa portofol, Rasim Demiri, ka informuar kabinetin për vizitën e tij në Turqi dhe takimet e zhvilluara atje.