Miratohet kredia e tretë për shpëtimin financiar të Greqisë
Bruksel, 26 tetor - Vendet e Eurozonës miratuan një kredi të re prej 2.8 miliardë Eurosh për Greqinë. Kjo është kredia e tretë e shpëtimit që kur vendi u zhyt në krizë ekonomike para gjashtë vitesh.
Drejtori i Mekanizmit të Stabilitetit Evropian, Klaus Regling, tha se ky vendim tregon se populli grek po bën progres në reformimin e vendit.
1.1 miliardë Euro do të përdoren për pagimin e interesave të borxheve të Greqisë, ndërsa 1.7 miliardë Euro do të përdoren për shlyerjen e borxheve të prapambetura.
Zoti Regling tha se Greqia plotësoi kriteret për reformimin e pensioneve dhe mbikqyrjen bankare, ndërsa po ndërmerr hapa të mëtejshëm për të filluar zbatimin e fondit për privatizimet dhe investimet.
Zoti Regling tha se nëse qeveria greke vazhdon të zbatojë reformat e rëna dakort, atëherë rritja e ekonomisë greke mund të përshpejtohet vitin tjetër dhe qeveria e Greqisë mund të jetë në gjendje të nxjerrë sërish bono thesari.
Kur të merren edhe fondet e kredisë më të fundit, Greqia do të ketë përfituar gjithsej 32 miliardë nga 86 miliardë Euro që u autorizuan për shpëtimin e saj financiar në korrik të vitit 2015.