Miratohet koncept dokumenti për themelimin e Fondit Sovran të Kosovës
Prishtinë, 1 qershor - Pika e parë që mori miratimin e Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e 81-të të saj është Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.
Ky dokument përshkruan gjendjen aktuale në sektorin e ndërmarrjeve publike (NP) dhe aseteve nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Dokumenti merr parasysh, përshkruan dhe analizon modele të ndryshme ndërkombëtare të fondeve investive shtetërore dhe fonde të pasurisë sovrane; shqyrton kornizën aktuale ligjore dhe jep rekomandimet për hartimin e legjislacionit të ri dhe ndryshimin e legjislacionit përkatës me qëllim të përgatitjes së bazës ligjore për themelimin e FSRK.
Fondi Sovran do t’i japë një jetë të re aseteve që qëndrojnë të nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rehabilitimit dhe rivitalizimit të tyre, në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar.
Fondi Sovran do t’i japë një shtytje dhe orientim të ri ekonomisë së Kosovës, duke krijuar kanale të reja për investime të jashtme dhe qasje në tregjet globale financiare, duke ndikuar gjithashtu në ruajtjen e stabilitetit fiskal të shtetit tonë.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës, është themeluar Komisioni Ministror (“Komisioni”) me qëllim të hartimit, përgatitjes dhe zbatimit të projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.
Përgjegjësitë e Komisionit të kryesuar nga Kryeministri janë: Hartimi i planit të projektit; Koordinimi i procesit; Monitorimi i zbatimit të projektit. Komisioni obligohet që brenda periudhës prej pesë (5) muajsh nga data e hyrjes në fuqi të këtij Vendimi, t’ia paraqesë Qeverisë së Republikës së Kosovës rekomandimet lidhur me hapat e mëtejmë në drejtim të zbatimit të projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.
Anëtarët e këtij Komisioni janë:
- Kryeministri, kryesues;
- Ministrja e Drejtësisë, anëtare;
- Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës; anëtar;
- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;
- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar.
Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për Marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit IPA III.
Qëllimi i këtij projektligji është që të krijohet baza e nevojshme ligjore, që Kosova të përfitojë nga fondet e BE-së të ofruara në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit, për programet vjetore IPA 2021-2027.
Hyrja në fuqi e marrëveshjes në fjalë dhe zbatimi i saj, janë në përputhshmëri të plotë me prioritetet e përcaktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht prioritetet e përcaktuara në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 2021-2025.
Ndihma e BE-së nëpërmjet IPA-s, për më tepër, konsiderohet si kontribut i veçantë për të fuqizuar procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës, posaçërisht duke ndihmuar në arritjen e obligimeve të dala nga MSA-ja.
Poashtu, në mbledhjen e sotme u miratua vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Përfundimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 08-P-047 të datës 21 prill 2022, jep mendim lidhur me nismën Legjislative për Projektligjin për Shëndetësi.
Duke marrë parasysh që Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar hartimin e Projektligjit për Shëndetësi, i cili është në fazën finale, Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që kjo është rruga që duhet përcjellë në qëllim të nxjerrjes së projektligjit që adreson mangësitë aktuale dhe i cili, pas miratimit në Qeveri, do t’i përcjellët Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim të mëtutjeshëm.
Pas shqyrtimit, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Ekipit ndërinstitucional për nxitjen dhe promovimin e punësimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Në qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e në bazë të kërkesës së Këshillit Nacional Shqiptar, kabineti qeveritar ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 50,000 euro, në mbështetje të aktivitete lobuese të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve shqiptarë atje.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Bordit Drejtues të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina Sh. A., në këtë përbërje:
Znj. Teuta Ukshini-Aliu, kryesuese;
Znj. Albana Berisha-Qehaja, anëtare;
Z. Fadil Berisha, anëtar dhe,
Znj. Saxhide Mustafa, anëtare.
Me vendim të kabinetit qeveritar është bërë emërimi i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania Rajonale e Ujësjellësit Mitrovica Sh. A., në këtë përbërje:
Znj. Kumrije Kelmendi-Aliu, kryesuese;
Z. Bashkim Halabaku, anëtar;
Z. Zijadin Lutolli, anëtar dhe,
Znj. Miranda Zherka, anëtare.
Po ashtu, Qeveria ka marrë vendim për emërimin e z. Besim Jashari, Zëvendësdrejtor për Shërbime Administrative Financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror, me mandat prej 5 vjetëve nga dita e emërimit.
Pas shqyrtimit është miratuar raporti vjetor për mbështetjen financiare publike për OJQ-të nga Institucionet e Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Raporti mbulon të gjitha organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe lokal, të cilat në çfarëdo forme kanë ofruar mbështetje financiare për organizatat jo qeveritare gjatë vitit 2021.
Mbi bazën e të dhënave financiare të siguruara nga Thesari për vitin 2021, rezulton se mbështetja financiare publike për OJQ-të është rreth 29.77 milionë euro.
Është miratuar edhe vendimi preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Fabrika e Çimentos Sharr”, të cilat janë të nevojshme për ndërtimin e “Rrugës Shtetërore” në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit, që lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe vendimi Preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme shoqërore N. Sh. “OPB Mirusha”, e cila preket nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Objektit të Qendrës për Pajisje me Dokumente dhe Qendrës për Regjistrim të Automjeteve për nevoja të Ministrisë së Punëve të Brendshme/Agjencia e Regjistrimit Civil, Zona Kadastrale: Malishevë, Komuna Malishevë.
Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për rialokimin e mjeteve në shumë prej 886,367.00€ (tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e shtatë euro) në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për zbatimin e programit Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme.
U miratua edhe vendimi për rialokimin e mjeteve financiare në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në nën-programin Administrata Qendrore, nga kategoria investimet kapitale, nga Projekti “Programi për Zhvillim Rajonal, në 18 projekte kapitale, në përputhje me Marrëveshjet e Mirëkuptimit dhe Aneks Marrëveshjet për projektet kapitale të nënshkruar nga Ministri i MZhR-së dhe kryetarët e Komunave.
Me këtë vendim do të rialokohen mjete në shumë prej 1,760,000.00 euro për projekte kapitale në komuna, në kuadër të projektit “Programi për zhvillim rajonal”.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ka miratuar nëntë nisma të ndryshme:
- Nisma për anëtarësimin e Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP) në Rrjetin e Instituteve dhe Shkollave të Administratës Publike në Evropën Qendrore dhe Lindore – The Network of Institutes and Shcools of Public Administration in Central and Eastern Europe (NISPAcee);
- Nisma për aplikim të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Institutin Ndërkombëtar të Shkencave Administrative – International Institute of Administrative Sciences me seli në Bruksel/Belgjikë;
- Nisma për anëtarësimin e Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP) në Asociacionin Ndërkombëtar të Shkollave dhe Instituteve të Administratës – International Association of Schools and Institutes of Administration (IASIA);
- Nisma për aplikim të anëtarësimit të Republikës së Kosovës si anëtare vëzhguese në Rrjetin e Administratës Publike të Bashkimit Evropian (EUPAN);
- Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Statusin e Forcave (SOFA) ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë;
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes Kornizë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar (OFID) për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve;
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime, për Shërbime konsulentë për vlerësimin e fizibilitetit dhe nevojave për kredi për Programin e arsimit të lartë në Kosovë.
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për Tregti të Lirë, ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe shteteve anëtare të EFTA-së (Zvicra, Norvegjia, Islanda, Lihtenshtajni);
- Nisma për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Tregut të përbashkët Evropian (Single Market Program), ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Bashkimit Evropian.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) për financimin e Projektit “Parku Inovativ Trajnues në Prizren”.
Kabineti qeveritar është informuar mbi zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit (PKZMSA) gjatë periudhës janar – mars 2022.
Në mbledhjen e sotme, është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje në realizimin e aktiviteteve të edicionit të 14-të të Manifesta 14 Prishtina 2022, si vazhdimësi e mbështetjes nga vitet paraprake, në vlerë prej 871,881.00 € (tetëqind e shtatëdhjetë e një mijë e tetëqind e tetëdhjetë e një euro).
Po ashtu, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, Kompania e Ujitjes “Drini i Bardhë sh.a”, dhe në të njëjtën kohë ka emëruar Bordin e Përkohshëm, në këtë përbërje:
Znj. Arieta Zeka; kryesuese;
Z. Ilaz Halili, anëtar;
Znj. Arlinda Nallbani, anëtare dhe
Z. Ramiz Jukoviq, anëtar.â