Miratohet Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2016
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2016 i miratuar sot në Kuvendin e Kosovës është në linjë të plotë me objektivat e Qeverisë për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe qëndrueshmëri fiskale dhe ne besojmë se me këtë propozim kemi arritur që ti financojmë kërkesat me prioritete të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajmë stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike.
Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, reflekton përkushtimin e përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovë për adresimin dhe prioretizimin e objektivave zhvillimore si dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies sociale, ka thënë Ministri i Financave z. Avdullah Hoti.
Ky dokument nuk do të ishte i tillë, nëse nuk do të ekzistonte konstruktiviteti në punë i të gjitha organizatave buxhetore.
"Për këtë ne si Ministri e Financave shprehim falënderimet me të larta. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe përkushtimit të lartë të të gjithë akterëve në këtë proces, hartimi i kësaj kornize është bërë mbi parimin e financimit të qëndrueshëm, gjithnjë duke u bazuar në prioritetet qeverisëse tashmë të deklaruara", ka theksuar Hoti.
Buxheti për vitin 2016 është plotësisht i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Të hyrat e rregullta buxhetore për vitin 2016 janë planifikuar në masë prej 1 miliard e 598 milionë, buxhet i cili përfaqëson një rritje prej 4.1% në raport me buxhetin e rishikuar për vitin 2015 dhe një rritje prej rreth 19% me buxhetin e realizuar të vitit 2014.
Për vitin 2016, parashihen shpenzime bazë në vlerë prej 1 miliard e 674 milionë euro (përjashtuar Shpenzimet nga grantet e përcaktuara te donatorëve).
Hoti ka theksuar se ky buxhet mundëson financimin e mëtejshëm të autostradës Prishtinë-Shkup, si dhe të projekteve tjera infrastrukturore.
"Po ashtu, brenda shpenzimeve kapitale, kemi bërë rritje të financimit për blerjen e pajisjeve të nevojshme për ristrukturimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, dhe kemi rritur mbështetjen financiare për projektet kapitale që kanë për qëllim ngritjen e produktivitetit dhe rritjen e punësimit në sektorin e bujqësisë", theksoj ai.
Në vitin 2016 dhe në vitet në vijim, ekonomia e Kosovës do të vazhdoj me ritmet e saja pozitive të rritjes.
Norma e rritjes ekonomike do të jetë ndër më të lartat në regjion (2016 3.8%; mesatarja për tri vite = 4.2%), dhe kjo si rezultat i insentivave tona fiskale për sektorin privat, masave të vazhdueshme për përmirësimin e ambientit të biznesit si dhe investimeve publike kapitale.