Miratohet buxheti i Komunës së Kllokotit
Prishtinë, 7 mars - Komisioni për Buxhet dhe Financa, i kryesuar nga kryetari, Naser Osmani, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilen u shqyrtua buxheti i komunës së Kllokotit për vitin 2016, propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2015, si dhe plani i punës së Komisionit për vitin 2016.
Zëvëndesministri i Financave, Agim Krasniqi, paraqiti buxhetin e Komunës së Kllokotit,i cili u riaprovua me vonesë, me datën 29.01.2016, duke cekur që ky buxhet është në përputhshmeri me qarkoren buxhetore të Ministrisë së Financave. Më pas, Komisioni miratoi buxhetin, me rekomandimin që ai të pasqyrohet në tabelat buxhetore për vitin 2016.
Pas shqyrtimit të propozim-vendimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, z.Bajram Zogiani, për arsye të ngritjes së aktakuzes ndaj tij për vepra penale, që bie ndesh me kodin e etikës profesionale që ndërlidhen me detyrat e tij, Komisioni nxori rekomandimin që Kuvendi të miratojë propozim-vendimin e qeverisë për shkarkimin e z. Bajrami nga pozita e anëtarit të OSHP-së, në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.
Në vazhdim, Komisioni pëkrahu raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2015, të cilin e paraqiti sekretari i përgjithshëm, Ismet Krasniqi dhe i rekomandoi Kryesisë së Kuvendit për miratim.
Në fund komisioni miratoi edhe Planin vjetor të punës për vitin 2016.