Ministrja Tahiri takoi sindikalistët e shërbimit civil
Prishtinë, 7 prill - Ministrja Edita Tahiri ka pritur në takim delegacionin e Sindikatës së Shërbimit Civil dhe Sindikatës së Administratës Publike, me çrast u bisedua rreth çështjeve që janë adresuar nga ana e këtyre sindikatave për institucionet qeveritare.
Përfaqësuesit sindikal kanë shprehur shqetësimin e tyre se ndërrimi i ministrit në Ministrinë e Administratës Publike, do të mund të ndikonte në mos realizimin e Memorandumit të Mirëkuptimit mes Sindikatave në njërën anë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht MAP-së dhe MEF-it, në anën tjetër.
Ministrja Edita Tahiri ka mirëkuptuar shqetësimin e tyre dhe i ka siguruar se ajo ka vullnetin politik për të realizuar një dokument të tillë siç është Memorandumi i Mirëkuptimit mes Qeverisë dhe Sindikalistëve të Shërbimit Civil.
Më tej, ministrja e MAP-së ka theksuar faktin se kjo çështje do të adresohet në bashkëpunim me aktorët tjerë relevant që kanë të bëjnë me përgjegjësinë për realizmin e kërkesave që dalin nga ky Memorandum, në mënyrë që kërkesat që dalin nga kjo marrëveshje dhe njëkohësisht obligim i përbashkët mes Qeverisë dhe sindikalistëve të shërbimit civil të trajtohen me prioritet.
Ne do të shqyrtojmë gjithë alternativat e mundshme për të gjetur zgjidhjen më të mirë për realizimin këtij Memorandumi. Për këtë çështje preokupimin e tij e ka shprehur edhe ish ministri Bajrami, në takimin e dorëzimit të detyrës, si një nga çështjet që meriton vëmendje dhe përkushtim të veçantë, ka shtuar ministrja Edita Tahiri.
Po ashtu ministrja e MAP-së ka shprehur gatishmërinë e saj për takime të rregullta me sindikalistët e administratës shtetërore, në mënyrë që në vazhdimësi të trajtohen kërkesat dhe nevojat e dyanshme, gjithmonë duke pasur parasysh, interesin e punëtorëve dhe interesin nacional, si pika të rëndësishme të mirëqenies dhe funksionimit efikas të shtetit.