Ministrja Hajdari mori pjesë në hapjen e ngjarjes Aspire Balkan Demo Day
Prishtinë, 18 nëntor - Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në hapjen e ngjarjes Aspire Balkan Demo Day, me ftesë të Ambasadores së Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv dhe ekipit Aspire Balkans me partnerët kryesorë STIKK nga Kosova dhe TAKT nga Maqedonia.
Në hapje të ngjarjes kushtuar grave ndërmarrëse, pjesëmarrëse ishin ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, si dhe ndërmarrëse të suksesshme të vendit.
Ministrja Rozeta Hajdari u shpreh e lumtur dhe e motivuar që ishte prezent në mesin e grave ndërmarrëse me idetë e tyre kreative në biznes.
Ajo shprehi falënderime ndaj dy ambasadoreve izraelite znj. Tamar Ziv në Kosovë dhe znj. Simona Frankel në Maqedoninë e Veriut, për partneritetin e tyre për zhvillim dhe financim të programit mbështetës ndaj grave nga Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit.
Ajo në vazhdim theksoi se iniciativat e tyre me shumë kreativitet do ta kenë gjithmonë mbështetjen e saj gjersa është e përkushtuar që në mandatin e saj të ofrojë sa më shumë hapësirë, përkrahje financiare dhe të krijojë mjedis të favorshëm për fuqizimin e grave tona ndërmarrëse.
Ministrja Hajdari i njoftoi të pranishmet se përmes ligjit për inovacion dhe ndërmarrësi dhe ligjit për fondin për inovacion, tani në hartim, do të ofrohen më shumë mundësi dhe përkrahje për gratë në ndërmarrësi, me qëllim fuqizimin e tyre dhe rritjen e kapitalit të ndërmarrësisë në shoqërinë tonë.
Me më shumë ndërmarrje fillestare, të vogla dhe të mesme në pronësi të grave dhe suksesin e tyre, do të fuqizojmë shoqërinë tonë, me hapjen e vendeve të reja të punës dhe drejt krijimit të një mirëqenie më të mirë në Republikën tonë.
Aspire Balkans është një program unik që i inkurajon gratë të bëhen ndërmarrëse dhe ta kthejnë idenë e tyre të biznesit në një startup.