Ministrja Bajrami mbajti takim virtual me FMN-në
Prishtinë, 9 qershor - Ministrja e Financave Hykmete Bajrami mbajti sot takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombetar, ku temë e diskutimit ishte bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Kosovës - Ministrisë së Financave dhe Transfereve me FMN-në sa i përket adresimit me efikasitet të dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe ruajtjes së stabilitetit makrofiskal të Kosovës.
Ministrja Bajrami i njoftoi përfaqësuesit e FMN-së rreth aktiviteteve të Qeverisë së Kosovës në drejtim të implementimit të plotë të pakos fiskale emergjente, rishikimit të buxhetit dhe themelimit të programit për rimëkëmbje ekonomike i cili program do të nxisë aktivitetin ekonomik në vendin tonë duke gjeneruar rritje ekonomike.
Znj. Bajrami falënderoi përfaqësuesit e FMN-së për bashkëpunimin e deritashëm dhe tha se Kosova mbetet e gatshme për të kultivuar bashkëpunimin e mëtejmë me FMN-në dhe Institucionet tjera financiare ndërkombëtare në të mirë të realizimit të projekteve zhvillimore që kontribuojnë në rritje ekonomike dhe për stabilitet makrofiskal në Republikën e Kosovës.