Ministritë vazhdojnë të bëjnë shkelje në ndarjen e fondeve publike
Prishtinë, 17 shtator - Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e dhënies së fondeve publike nga buxheti i Kosovës.
Gjatë një diskutimi të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë (EUICC) në bashkëpunim me CiviKos-in, përfaqësues të shoqërisë civile potencuan mungesën e kritereve dhe procedurat jo transparente të përzgjedhjes së organizatave përfituese, mungesën e mekanizmave të raportimit dhe mbikëqyrjes si dhe mungesën e një mekanizmi që do të siguronte ruajtjen e pavarësisë së veprimit të organizatave të shoqërisë civile që përfitojnë fonde qeveritare.
Ndërtimi i një sistemi dhe përcaktimi i kritereve për përkrahje financiare për organizatat e shoqërisë civile është një nga objektivat strategjike të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017.
Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Valdete Idrizi tha se një vit pas krijimit të mekanizmit për zbatimin e strategjisë, ende ka mjaft probleme.
Sipas saj, disa ministri vazhdojnë të bëjnë shkelje në ndarjen e fondeve publike, siç tregon edhe raporti i auditorëve.
Rrjedhimisht mungojnë statistikat që tregojnë shumën e mjeteve të ndara për shoqërinë civile dhe numrin e organizatave përfituese, mungon monitorimi i punës që kanë bërë organizatat përfituese dhe nuk ka transparencë në raportimin e tyre.
Hajrulla Çeku, drejtor ekzekutiv i organizatës EC Ma Ndryshe që është e përqëndruar më shumë në fushën e kulturës tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka kurrfarë baze të shpërndarjes së fondeve.
Kësisoji sipas tij, kjo ministri ka ndjekur praktikën e ndarjes së fondeve të vogla dhe të barabarta për një numër të madh organizatash, pa kritere për përzgjedhjen e tyre. Çeku tha se në këtë mënyrë ministritë që ndajnë fonde i shfrytëzojnë ato për kontroll të pushtetit politik.
Ai kritikoi poashtu mënyrën se si qeveria e përkufizon mbështetjen financiare për organizatat e shoqërisë civile, përkatësisht si subvencion, duke theksuar se shoqëria civile nuk ka nevojë për lëmoshë.
Ndërkaq Rexhep Vasolli nga Ministria e Financave që është edhe koordinator për zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile - grupi III u shpreh më pozitiv për bashkëpunimin e qeverisë me organizatat e shoqërisë civile.
Vet strategjia është shenjë e bashkëpunimit, tha ai duke vënë theksin tek përpjekjet që po bëhen aktualisht për ndërtimin e një sistemi transparent dhe llogaridhënës për mbështetjen financiare të shoqërisë civile nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Për ta arritur këtë, mes tjerash sipas tij pritet të bëhet edhe reformimi i legjislacionit për zbatim të përbashkët të projekteve dhe të përfshihet shoqëria civile në mekanizmat për koordinim me donatorët.
Me diskutimin e sotëm për transparencën dhe llogaridhënien e fondeve publike, EUICC hapi fushatën e saj dymujore BE ka të bëjë me shoqërinë aktive civile, në kuadër të së cilës do të organizohen edhe aktivitete tjera.