07 Nëntor 2024

Ministria e Financave krijon seksion të ri për transparencën fiskale

Prishtinë, 3 prill - Ministri i Financave Avdullah Hoti ka mbajtur sot një konferencën për media, në të cilën prezantoi para mediave për herë të parë publikimin e të dhënave mujore fiskale “Seritë kohore” për një periudhë 11 vjeçare.

“Ministria e Financave ka si synim themelor përmirësimin e llogaridhënies ndaj qytetarit përmes ngritjes së transparencës fiskale. Për këtë qëllim, ju kemi ftuar sot për të ju njoftuar rreth një hapi të rëndësishëm në ngritjen e cilësisë së informatave që i ofrohen publikut mbi operacionet financiare të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Hoti.

Ai ka theksuar se në web-faqen e Ministrisë së Financave kanë krijuar një seksion të ri – të quajtur Trasnparenca Fiskale - ku do të ofrohen informata të detajuara dhe me frekuencë të lartë mbi pranimet dhe pagesat fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

\"Përmes këtij seksioni, ju si media, dhe qytetarët në përgjithësi, do të keni mundësinë e monitorimit të performancës fiskale të Qeverisë së Kosovës në baza mujore, dhe brenda një konteksti më të gjerë kohor”, shtoi ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se ky përmirësim vjen si rezultat i një pune të gjatë të Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave në bashkëpunim me Programin e Partneritetit për Zhvillim të USAID.

Ministri Avdullah Hoti theksoi se për herë të parë, përmes këtij seksioni të ri, me publikun do të ndahet një bazë që përmban 11 vjet të dhëna mbi të gjitha kategoritë kryesore të pranimeve dhe pagesave.

“Për më shumë, përmes këtyre të dhënave, do të ofrohen detaje të ndryshme  mbi Transaksionet buxhetore dhe ato për financim, mbi Transaksionet me ndarje të qartë ne mes të dy niveleve të qeverisjes: asaj lokale dhe qendrore, si dhe mbi Kategoritë më detaje ekonomike, si tek pranimet ashtu edhe tek shpenzimet”, shtoi ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se ofrimi i këtyre të dhënave në një bazë të vetme, dhe të konsoliduar për 11 vite, jo vetëm se do ofrojë mundësi më të mirë monitorimi, por do të krijojë edhe mundësi më të mira hulumtimi për të gjithë studiuesit dhe praktikantët e fushës së ekonomisë dhe financave publike.

“Për më shumë, më lejoni të theksoj se në ditët në vijim ne do të zhvillojmë konsultime të gjëra me të gjithë hisedarët, dhe do të kërkojmë nga ta të dalin me kërkesa me llojet e reja të informatave që duhet të përfshihen si pjesë e këtyre serive kohore, dhe rrjedhimisht e seksionit tonë për Transparencën Fiskale.  Prandaj, hapi i sotëm është vetëm fillimi i rrugëtimit tonë për ofrimin e qasjes direkte dhe online për publikun rreth çdo informate që grumbullon dhe arkivon Ministria e Financave”, shtoi ministri Hoti.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se transparenca e plotë duhet të jetë pro-aktive.

“Kjo do të thotë se ne jo vetëm që do ti përgjigjemi kërkesave për qasje në dokumente publike, po do ti paraprijmë këtyre kërkesave duke vënë në dispozicion të qytetarit  të gjitha të dhënat mbi operacionet fiskale të Qeverisë”, shtoi ministri Avdullah Hoti. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)