Ministria e Financave është në finalizim të pakos së re fiskale 2.0
Ai bëri të ditur se në shtator të vitit të kaluar Ministria e Financave ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ përmes të cilit është liruar nga tatimi doganor Petrol Koksi, si një prej çështjeve të diskutuara në Raundin e Parë të Platformës së Dialogut për Investime, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropian dhe si kërkesë e vazhdueshme nga komuniteti i bizneseve.
Bashkërisht me Petrol Koksin ne kemi liruar edhe disa produkte tjera që përdoren në procesin e prodhimit me ç rast kemi përmbushur edhe një obligim ndërkombëtar, në kuadër të Komunitetit të Energjisë, anëtare e të cilit është Kosova, shtoi Ministri Hoti.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka adresuar edhe çështjen e Evaporimit të naftës dhe si rezultat është përfshirë si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0, ku do të trajtohet njohja e humbjeve edhe për produktet tjera.
Ministri Avdullah Hoti poashtu theksoi se Ministria e Financave ka trajtuar edhe formën e tatimimit të kompanive të sigurimeve dhe kjo do të adresohet gjithashtu si masë e veçantë në pakon fiskale 2.0.
Ministri Hoti, me këtë rast prezantoi progresin e arritur në Ministrinë e Financave, ku theksoi se me reformat e pakos së parë fiskale janë bërë përmirësime të shumta në ambientin e të bërit biznes.
Ai gjithashtu theksoi se Ministria e Financave është në finalizim të pakos së re fiskale 2.0, e cila përmban një sërë masash, të cilat kanë ardhur si rezultat i kërkesave të bizneseve, gjatë komunikimeve dhe takimeve të organizuara me ta. Këto reforma do të përmirësojnë në masë të madhe ambientin e të bërit biznes.