Ministria e Drejtësisë konfirmon se rasti i Grand-it do të shkojë në arbitrazh
Prishtinë, 27 korrik - Pas interesimit të mediave në lidhje me procesin e arbitrazhit rreth çështjes së Mabco Constructions SA, Ministria e Drejtësisë konfirmon se Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve e ka regjistruar kërkesën e Mabco Constructions SA për të filluar procedurën e arbitrazhit kundër Republikës së Kosovës.
"Republika e Kosovës në këtë proces do të përfaqësohet nga Avokatura Shtetërore në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi", thuhet në një deklaratë të Ministrisë.
Duke marrë parasysh që procedura e arbitrazhit është konfidenciale, dhe me qëllim që të mos paragjykohet asnjë veprim procedural, sipas MD-së, Avokatura Shtetërore do të respektojë konfidencialitetin e procedurës së arbitrazhit dhe shpreson se edhe pala tjetër do të veprojë njëjtë.
"Pritet që pas regjistrimit të rastit të fillojë procesi i konstituimit të tribunalit të arbitrazhit i cili pastaj do të drejtojë procedurën", thuhet në deklaratë.
Avokatura Shtetërore do të njoftojë publikun për ecurinë e procedurës së arbitrazhit me kohë dhe brenda asaj që e lejon konfidencialiteti i procedurës.
Behxhet Pacolli ditë më parë ka njoftuar se rasti i hotelit Grand, do të trajtohet në Arbitrazhin Ndërkombëtar pranë Bankës Botërore në Uashington. "Po, ashtu është. Ky rast udhëhiqet direkt nga qendra e Mabetexit në Lugano, pasi që investimi mbi 5.1 milion euro ka ardhur nga kjo qendër", ka shkruar ai në Facebook.