Ministri Shala paraqiti në Itali mundësitë që ofron Kosova për investitorët e jashtëm
Verona, 11 shkurt - Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala po merr pjesë në Forumin për Investime-Italia dhe Evropa Juglindore, me ftesë të Ministrit te Zhvillimit Ekonomik te Republikës së Italisë Claudio Scajola.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, se bashku me ministrat e rajonit të Evropës Juglindore, më 11 shkurt 2010, bënë hapjen e sesionit të parë të këtij forumi të rëndësishëm për vendet ne zhvillim siç është edhe Republika e Kosovës.
Në këtë sesion të pranishëm ishin Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Italisë Claudio Scajola, Ministri i Ekonomisë i Shqipërisë Dritan Prifti, Ministri i Ekonomisë i Rumanisë Adrian Videanu, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë se Moldavisë Valeriu Lazar, Ministri i Tregtisë së Serbisë Slobodan Milosavljevic.
Gjate prezantimit të tij para 400 përfaqësuesve të ndërmarrjeve italiane, Ministri Shala paraqiti mundësitë që ofron Kosova për investitorët e jashtëm, dhe në kuadër të kësaj u shpreh se: njëra ndër përparësitë e Kosovës është perspektiva e qartë evropiane e saj, dhe poashtu Kosova është një vend i sigurt, demokratik ku respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të drejtat e zhvillimit të bizneseve dhe ekonomisë së lirë të tregut, tha Shala.
Për këtë arsye, ftoj të gjithë biznesmenët italianë që të vijnë në Kosovë dhe të investojnë në fusha të ndryshme. Kosova iu ofron mundësi për investime në energjetikë, transport, telekomunikacion, turizëm, arsim, shëndetësi, bujqësi si dhe në shumë fusha të tjera, ku mendoj se përfitimet nga zhvillimi i bizneseve do të jenë shumë të mira. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës ka miratuar një pako për tatimet, të cilat janë nga me të ulëtat ne Evrope, shtoi ai.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Italisë Claudio Scajola në prezantimin e tij pohoi se ky forum është një rast për ta shfrytëzuar në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe investimeve italiane në shtetet e Evropës Juglindore që përfaqësohen sot në nivel ministrash.
Ai poashtu shprehu bindje se Bashkimi Evropian nuk do te jete i vetëm 27 shteteve, por edhe i shteteve të cilat aspirojnë të jene pjesë e Bashkimit Evropian, dhe për këtë Italia ka dëshmuar se është përkrahëse e vazhdueshme e këtyre shteteve në proceset e integrimit në këtë union.