Ministri Reçica priti në takim përfaqësues të shoqatës ndërkombëtare “UN Women”
Prishtinë, 15 nëntor - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Skender Reçica, priti sot në një takim znj. Emily Kenney, analiste e politikave në Sektorin për Drejtësi Tranzicionale, Paqe dhe Siguri, në Organizatën Ndërkombëtare “UN Women”, si dhe përfaqësues tjerë të kësaj organizate.
Në këtë takim, Ministri Reçica e njoftoi znj. Kenney për veprimet që është duke ndërmarrë MPMS lidhur me kategorinë e grupit të cenuar, përkatësisht gratë.
Ai njoftoi se në Strategjinë Sektoriale të MPMS-së, e cila do të miratohet në Qeveri deri në fund të vitit, gratë do të kenë një trajtim të veçantë, si pjesëmarrëse në masat aktive të tregut të punës, po ashtu edhe në ndërmjetësimin e punësimit.
Ministri Reçica i njoftoi të pranishmit lidhur me vendimin për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale të luftës, për themelimin e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, si dhe themelimin e sekretariatit për ndihmë të komisionit.
Ministri theksoi se pikërisht sot është futur në agjendë të Qeverisë miratimi i vendimeve për këtë kategori, e cila kërkon një trajtim jo vetëm të kompensimit material nga shteti, por edhe një angazhim shtesë në projekte të ndryshme.
Znj. Kenney e falënderoi ministrin për takimin dhe e përgëzoi për punën që po bën lidhur me viktimat e dhunës seksuale të luftës së , duke thënë tutje se kjo kategori kërkon një trajtim të veçantë dhe se është për t’u vlerësuar angazhimi konkret i ministrit në këtë drejtim.
Ministri Reçica paraqiti gatishmërinë e MPMS-së për bashkëpunim me Organizatën “UN Women” në projekte të përbashkëta dhe forma tjera të bashkëpunimit, me qëllim të ngritjes së mirëqenies sociale të kësaj kategorie.