Ministri Ismajli vizitoi kompani të njohura gjermane
Prishtinë, 11 korrik - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka vazhduar vizitën e tij zyrtare në Frankfurt të Gjermanisë ku po merr pjesë në Konferencën për Energjinë, në kuadër të së cilës ka zhvilluar takime të shumta me zyrtarë dhe ka vizituar kompani të njohura gjermane.
I shoqëruar nga shefi i misionit të Republikës së Kosovës në Gjermani, Ambasadori Skënder Xhakaliu, ministri Ismajli ka vizitur kompani gjermane me renome si KFW, Roland Berger dhe ALSTOM, me drejtuesit e të cilave është biseduar për bashkëpunimin ekonomik dhe koordinimin e mbështetetjen që këto kompani me eksperiencë mund të ofrojnë për Republikën e Kosovës.
Një vizitë e interesit të veçantë konsiderohet vizita që ministri Ismajli sot ka bërë në kompaninë gjermane ALSTOM, ku u prit nga Presidenti i kompanisë, Alf Henrik Wulf dhe bashkëpunëtorët e tij, Christofer Lower dhe Tino Martin Marling, me të cilët u shkëmbyen ide dhe u diskutuan mundësi të bashkëpunimit reciprok.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën admirimin e tyre dhe ndanë bindjen e përbashkët që kjo është vetëm fazë inicuese e bashkëpunimit duke shprehur, në të njëjtën kohë, gatishmërinë e tyre për vazhdimin, koordinimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.
Gjatë vizitës, ministri dhe stafi i tij patën mundësi të shohin nga afër uzinat e punimeve dhe teknologjinë më të re dhe më të avancuar në fushën e energjisë dhe gazit.
Vlen të theksohet se kompania në fjalë është e shtrirë në 100 vende të botës dhe ka një staf prej 93.000 punëtorësh.