Ministri Ismajli takohet me kryetarin Ahmeti
Prishtinë, 21 janar - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, priti sot në takim Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, për të diskutuar lidhur mbi emergjencën e mungesës së furnizimit me ujë të Prishtinës si dhe për çështjet që janë përgjegjësi edhe të nivelit lokal edhe të nivelit qendror.
Ministri na njoftoi për takimet që ka zhvilluar deri tani dhe për nismat që ka ndërmarrë sa i përket furnizimit me ujë, për informata shtesë që ka kërkuar nga Ujësjellësi Rajonal Prishtina lidhur me skenarët e mundshëm për tejkalimin e kësaj situate.
Në këtë takim u fol për koordinim më afatgjatë mes dy institucioneve për sa i përket ujësjellësit, energjisë elektrike, ngrohjes. Deri më tash ka pasur probleme të shumta lidhur me dhënien e lejeve për ndërtim në zona të ndryshme të cilat mund të rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve.
Projektet në shërbimet publike janë veprimtari që kërkojnë ndërhyrjen e të dy niveleve të qeverisjes. Kështu që do të angazhohemi që ti bashkërendojmë aktivitetet me qëllim krijimin e shërbimeve publike efikase në përputhje me interesin qytetar.