08 Nëntor 2024

Ministri Hoti prezanton planet e Ministrisë së Financave për 2017

Prishtinë, 16 janar - Ministri i Financave Avdullah Hoti, i shoqëruar nga zëvendësministri Agim Krasniqi, zëvendësministri Isni Kilaj dhe sekretari i përgjithshëm Naim Baftiu, para mediave sot ka bërë prezantimin e përmbylljes së vitit 2016 dhe objektivat për vitin 2017 të Ministrisë së Financave.

Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se viti 2016 është përmbyllur me sukses të jashtëzakonshëm, ku sipas tij të hyrat janë rritur me 9.5% në krahasim me vitin 2016.

“Të hyrat janë rritur me 9.5% krahasuar me 2015. Të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja janë rritur me 12% dhe kanë arritur në 1,438 mil euro, që është 154 mil euro më shumë se më 2015. Të hyrat nga Dogana janë rritur me 10.5% (100 mil më shumë). Të hyrat nga ATK-ja janë rritur me 16.1% (54 mil më shumë). Të hyrat vetanake kanë qenë për 3.6% më të ulëta se në vitin paraprak, në veçanti tek komunat. Të hyrat tjera jo-tatimore kanë qenë: taksa koncesioneve nga Aeroporti një rritje prej 17.6%, tantiema nga shfrytëzimi i resurseve natyrore një rritje për 2.8%, dividenta nga PTK nuk është inkasuar asgjë”, shtoi Ministri Hoti.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve ai bëri të ditur se “Shpenzimet kanë shënuar rritje prej 6.9% krahasuar me vitin paraprak dhe kanë arritur në 1,682 mil euro, apo 108 mil euro më shumë se vitin paraprak. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga rritja e subvencioneve dhe transfereve dhe shpenzimeve kapitale. Shpenzimet janë ekzekutuar me normë prej 96.4% krahasuar me shpenzimet e planifikuara.

“Struktura e shpenzimeve është Pagat dhe mëditjet janë rritur me 2.8% për shkak të kontratës kolektive,  Mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale janë ulur për 2.9% që është rreth 6 mil euro, për shkak të disiplinës fiskale, Subvencione dhe transfere janë rritur me 13.4% për shkak të rritjes së pensioneve kontribut-dhënëse dhe pagesat për veteranët e luftës, si dhe Shpenzimet kapitale janë rritur me 9.8%”, shtoi i pari i Ministrisë së Financave.

Sipas, ministrit Avdullah Hoti viti 2016 është mbyllur me 270 milionë euro bilanc bankar, që është për 10 milionë euro më shumë se vitin paraprak.

“ Ky bilanc është arritur pa kufizuar asnjë shpenzim që ka arritur për pagesë nga të gjitha organizatat buxhetore qendrore dhe lokale dhe pa pranuar fondet nga FMN-ja në shumë prej 116 mil euro (për shkak të vonesave në aprovimin e ligjit për veteranët e luftës) dhe nga dividenta nga PTK prej 15 mil euro. Deficit buxhetor nën rregullën fiskale prej 2% të Bruto Prodhimit Vendor siç kërkohet me Ligjin për Financat Publike”, bëri të ditur Ministri Hoti.

Ndërsa,  sa i përket Objektivave për vitin 2017, ministri  i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se ndër objektivat kryesore të Ministrisë së Financave për vitin 2017 janë  Pakoja fiskale 2.0 , Krijimi i Agjencisë së Tatimeve dhe Doganës së Kosovës, Implementimi i programit Stand-By me FMN, Disiplina fiskale, si dhe objektivat e tjera specifike që përfshijnë sektorët më të rëndësishëm të Ministrisë së Financave siç janë Dogana, ATK, Njësia për Inteligjencë Financiare të Kosovës, Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik, si dhe reforma të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)