Ministri Hoti premtoi investime prej mbi 20 milionë euro në Mitrovicë
Mitrovicë, 11 shtator - Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur na kabinetin e tij ministrin e financave, Abdullah Hotin, me të cilin ka biseduar për trajtimin me prioritet të komunës në realizimin e projekteve të ndryshme zhvillimore, infrastrukturore, sociale e të tjera.
Mitrovica, që nga pas lufta e këndej ka pas dhe vazhdon të ketë probleme të shumta e të ndryshme, që fatmirësisht nuk i kanë komunat tjera të vendit, si pasojë shkatërrimeve gjatë dhe pas luftës, ndarjes së qytetit, zhvendosjes së mijëra familjeve nga pronat e tyre dhe veprimit të bandave kriminale. Fatkeqësisht, Mitrovica nuk është trajtuar deri tash ashtu si duhet nga niveli qendror për të tejkaluar këto sfida e probleme, andaj, ka ardhur koha që Mitrovicës ti ndihmohet në këtë drejtim, i ka thënë ministrit Hoti kryetari Bahtiri.
Ai ministrit Hoti i ka thënë se ka trashëguar një borxh prej mbi një milionë euro, që është dashur të paguaj, gjë që ka ndikuar në mosrealizimin e projekteve të parapara kapitale, si dhe i ka folur për disa nga projektet më të rëndësishme që meritojnë të trajtohen me prioritet e që janë shumë ët rëndësishme për zhvillimin e qytetit për të mirën e qytetarëve, pasi që nga ato mund të krijohen vende të lira pune dhe mjete financiare.
Ministri Abdullah Hoti, i tha kryetarit Bahtiri se e kupton gjendjen e rëndë të përgjithshme në komunë, e sidomos atë ekonomiko-financiare, prandaj edhe ka ardhur për të biseduar se cilat janë prioritet deh mundësitë e mbështetjes.
Sigurisht se tani e tutje do ti kushtojmë vëmendje shumë më të madhe komunës së Mitrovicës, përkatësisht zgjidhjes së problemeve të këtushme, duke i trajtuar ato me prioritet, gjë që nuk është bërë deri tash. Do të kërkoj edhe nga kolegët tjerë ministra dhe nga investitorët e donatorët e ndryshëm, me të cilët do të kem kontakte, që edhe ata ta trajtojnë këtë komunë me prioritet, tha ministri Hoti.
Ministri Hoti, premtoi se qeveria e Kosovës, duke përfshi këtu edhe ministritë, gjatë dy viteve të ardhshme, do të sigurojnë mjete nga buxheti, donatorët dhe investitorët e ndryshëm në një shumë prej mbi 20 milionë euro, për të ndihmuar realizimin e projekteve të ndryshme që kryetari Bahtiri i propozoi.
Si hap të parë i ndihmës konkrete për Mitrovicën, ministri Hoti theksoi stabilizimin financiar të arsimit në komunë, duke filluar nga një tetori, përfundimin e shkollës së mjekësisë, pastaj përshpejtimin e procedurave për realizimin e projekteve për ndërtimin e mbikalimit në qendër të qytetit, garazheve nëntokësore, ndërtimin e banesave për rastet sociale, etj, me partneritet publiko-privat.
Ai e mbështeti edhe projektin e kryetarit Bahtiri për ngrohjen e qyteti me ujë nga miniera Trepça, si dhe projektet konkrete në bujqësi.