Ministri Hoti përgëzon ATK-në për të arriturat gjatë vitit 2015
Në këtë takim Ministri Hoti përgëzoi të gjithë punonjësit në Administratën Tatimore të Kosovës për punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2015.
Administrata Tatimore ka arritur rezultate të shumë të mira këtë vit. Nga trendi negativ që ka pasur vitin 2014, rritja e të hyrave sivjet është e kënaqshme, presim përfundimin e vitit për shifra më të sakta, tha ministri Hoti.
Ai bëri të ditur se gjatë vitit 2015 janë arritur reforma të mëdha në politikat fiskale Pas hyrjes në fuqi të pakos së re fiskale, e cila përfshinë Ligjin mbi TVSH-në, Ligjin mbi të Ardhurat e Korporatave, si dhe Ligjin mbi të Ardhurat Personale, deri më tani 152 kompani kanë marrë autorizime për lirim nga TVSH-ja në import të lëndës së parë për prodhim, 163 kompani kanë shfrytëzuar mundësinë e importit pa TVSH të makinerisë prodhuese dhe teknologjisë informatike. Si rezultat, janë importuar rreth 30 milion euro vlerë të makinerisë prodhuese të cilat kanë përfituar mbi 5 milion euro lirime nga TVSH-ja që mund të konsiderohet si kontribut i Qeverisë së Kosovës në nxitjen e investimeve.
Gjatë vitit 2015, gjithashtu nga muaji prill është aplikuar projekti i rimbursimi të kuponëve fiskal. Gjatë kësaj periudhe, janë rimbursuar mjete nga kuponët fiskal në vlerë prej 737,750 euro për 45,355 qytetarë. Kjo ka ndikuar në uljen e informalitetit, shtoi ministri Hoti.
Ai gjithashtu tha se Administrata Tatimore ka lehtësuar kushtet e të bërit biznes, duke miratuar Udhëzimin Administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, Udhëzimin Administrativ për Tatimin në të Ardhura Personale, Udhëzimin Administrativ për Tatimin në të Ardhura ne Korporata, Udhëzimin Administrativ për Tatimin në Vlerën e Shtuar, si dhe janë në përfundim edhe Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore, si dhe Udhëzimi Administrativ për Transferimin e Çmimeve.
Me këtë rast, Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Në programin e Qeverisë së Kosovës 2014-18, është planifikuar që të bëhet unifikimi i Doganave dhe Administratës Tatimore në një Agjenci të përbashkët të të hyrave. Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, ka miratuar planin inicial për këtë reformë të madhe. Planifikohet që procesi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të përfundojë në fund të vitit 2016 dhe Agjencia e të Hyrave të fillojë punën më 2017.