Ministri Çeku, më i paguar në kabinetin Thaçi
Prishtinë, 31 gusht - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, del të jetë ministri më i paguar në kabinetin qeveritar të kryeministrit Hashim Thaçi.
Ministri Çeku në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) ka deklaruar se paga vjetore e tij si ministër është 16 mijë e 200 euro.
Po ashtu, ai ka deklaruar se përveç pagës merr edhe dy pensione një nga Ministria e Punës në Kosovë si pension i TMK-së dhe një tjetër nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë.
Pensioni që ministri Çeku merr nga Kosova është 347 euro në muaj, ndërkaq ai nga Qeveria e Kroacisë është 1300 euro në muaj.I dyti për nga madhësia e pagës në Qeverinë Thaçi renditet ministri i Financave Bedri Hamza dhe ministrja e Integrimeve Evropiane Vlora Çitaku.
Paga vjetore e ministrit Hamza dhe e ministres Çitaku është 15 mijë e 246 euro.
Por, pavarësisht pozitës, ministri i Drejtësisë i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës renditet në vendin e 10 për nga madhësia e pagës në kabinetin qeveritar të kryeministrit Hashim Thaçi.
Paga vjetore e ministrit Kuçi është 14 mije e 196 euro.
Në vendin e 14 për nga madhësia e pagës gjendet edhe ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila, e cila njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministre e Kosovës. Po ashtu, paga vjetore e saj është 13 mije e 301 euro.
Por, pavarësisht se kanë funksion dhe punë të njëjtë në kabinetin qeveritar, ministri i Shëndetësisë Ferid Agani del të jetë ministri me pagën më të vogël në kabinetin qeveritar të kryeministri Thaçi.
Ai në AKK ka deklaruar se paga vjetore e tij është 12 mijë e 866 euro, apo 3334 euro më e vogël se e ministrit të Ministrisë i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku.
Por, përveç pagës nga buxheti, ministri Agani ka deklaruar se merr edhe 3077 euro për punën profesionale në orginancën e tij personale Studio Agani.
Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se pagat e ministrave kryesisht janë të njëjta, përveç pagës së Ministrisë të Forcës së Sigurisë, e cila sipas tyre është pak më e madhe se e ministrave tjerë.
Pagat janë të njëjta thuajse përveç ministrit Agim Çeku, i cili ka pagë më të madhe,tha shkurt përmes telefonit zëvendësministri i Financave Ramadan Avdiu.
Në anën tjetër, ish- ministri i Financave Haki Shatri thotë se në Qeverinë e kaluar, por edhe të gjitha qeveritë pagat e ministrave kanë qenë të gjitha të njëjta.
Asnjëherë ska pas laramani pagash në pozitat ministrore,tha ai
Pagat vjetore të ministrave
Agim Çeku 16,200 euro
Bedri Hamza 15,246 euro
Vlora Çitaku 15,246 euro
Dardan Gashi 15,240 euro
Enver Hoxhaj 15,240 euro
Fehmi Mujota 15,000 euro
Nenad Rashiq 14,820 euro
Sllobodan Petroviq 14,181 euro
Mahir Yagcilar 14,597 euro
Hajredin Kuçi 14,196 euro
Besim Beqaj 13,680 euro
Ibrahim Makolli 13,301 euro
Mimoza Kusari 13,301 euro
Memli Krasniqi 13,300 euro
Bajram Rexhepi 13,000 euro
Blerand Stavileci 13,296 euro
Ramë Buja 12,960 euro
Radoica Tomiç 13,296 euro
Ferid Agani 12,866 euro
/zeri/