Ministri Beqaj priti ambasadorin e Suedisë, Mats Staffansson
Prishtinë, 18 nëntor - Ministri i Financave, Besim Beqaj,ka pritur sot në takim njoftues ambasador Suedisë në Republikën e Kosovës, z. Mats Staffansson, dhe me këtë rast kanë vlerësuar se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë në një nivel të lartë zhvillimi.
Ministri Beqaj duke i shprehur urimet për detyrën e re ambasadorit, Staffansson, u shpreh se përkrahja të cilën i ka dhënë Suedia por edhe ambasada në Kosovë zhvillimit të proceseve demokratike dhe zhvillimit ekonomik të vendit vlerësohet lartë nga Qeveria e Kosovës, njëkohësisht duke potencuar mundësinë e zhvillimit dhe thellimit të mëtejmë të këtyre raporteve. Ai gjithashtu e falënderoi Ambasadorin për ndihmën që po jep Suedia përmes SIDA-s në Departamentin e Tatimit në Pronë për evidentimin dhe regjistrimin e pronave në Kosovë.
Me këtë rast ministri Beqaj ka informuar ambasadorin Staffansson se Kosova ka qëndrueshmëri buxhetore dhe stabilitet makrofiskal, ka parakushte te mira për zhvillim ekonomik dhe për investime të jashtme.
Ministri Beqaj e njoftoi ambasadorin e Suedisë me masat më të reja në politikën fiskale lidhur me produktet bujqësore dhe ushqimore dhe vlerësoi se kjo paraqet një kontribut të rëndësishëm në krijimin e kushteve sa më të mira për të bërë biznes.
Nga ana e tij ambasadori Staffansoon duke falënderuar ministrin Beqaj për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lartë të arriturat e Kosovës në lëmin e ekonomisë dhe financave dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar edhe me tej bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve si dhe gatishmërinë e Suedisë për ta ndihmuar Kosovën me projekte konkrete si dhe në proceset e integrimeve evropiane.