Ministri Bedri Hamza i ka ofruar dorëheqjen Kryeministrit Thaçi
Prishtinë, 14 janar - Në njoftim për media Ministria e Financave ka bërë të ditur se Ministri Bedri Hamza i ka paraqitur dorëheqje Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Në letrën e tij të dorëheqjes Ministri Hamza ka falënderuar Kryeministrin për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme që ka pasur si ministër gjatë kohës që ka shërbyer si ministër, por edhe gjatë periudhës kur ka shërbyer si zëvendësministër.
Ministri Hamza konsideron se angazhimi i tij në Kabinetin e kryeministrit Thaçi ka qenë një nder dhe kënaqësi e veçantë për faktin se në këtë mënyrë ka mundur tu shërbejë qytetarëve të Kosovës.
Ministri Hamza njofton opinionin publik se krahas vështirësive, puna në Ministrinë e Financave është kurorëzuar me suksese të shumta, në radhë të parë sa i përket ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal dhe përmbushjes së detyrimeve nga Programi Stand-by që Kosova ka me FMN-në.
Përmbushja e këtyre detyrimeve jo vetëm që ka mundësuar lëvrimin e fondeve nga Banka Botërore dhe FMN-ja, por edhe e ka bërë që Kosova të jetë vendi më i suksesshëm në rajon sa i përket qëndrueshmërisë makro-fiskale dhe rritjes ekonomike.
Duke e konsideruar punën në Ministrinë e Financave si përmbyllje të një cikli në karrierën e tij, pas lirimit nga posti i tij z. Hamza synon të kërkojë më tej sfida të reja profesionale. Z. Hamza bën të ditur që arsyet e dorëheqjes së tij janë krejtësisht për motive familjare dhe të karrierës personale.
Ministri Hamza falënderon në radhë të parë Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ministrat e Kabinetit Qeveritar, deputetët e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit dhe nëpunësit e Ministrisë së Financave, si dhe këshilltarët e Thesarit Amerikan dhe të USAID-it, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore, dhe të Komisionit Evropian, për bashkëpunim profesional, duke konsideruar se të arriturat dhe sukseset e Ministrisë nuk do të kishin qenë të mundura pa një bashkëpunim të ngushtë dhe të sinqertë të të gjitha palëve të cekura.
Krejt në fund, ministri Hamza falënderon qytetarët dhe opinionin e Kosovës për mbështetje gjatë këtyre viteve sa ka shërbyer në Ministrinë e Financave.