Ministri Avdullah Hoti zyrtarisht pranon detyrën
Prishtinë, 12 dhjetor - Do të bëjë maksimumin që qytetarët të njoftohen dhe të sigurohen se paraja publike shkon në vendin e duhur dhe të gjithë njerëzit të përfitojnë në mënyrë të barabartë prej parasë publike. Këto do të jenë parimet e udhëheqjes sime në krye të këtij resori shumë të rëndësishëm për vendin, tha ministri i ri i Financave Avdullah Hoti në ceremoninë e pranim dorëzimit të detyrës të Ministrit të Financave nga ministri i deritanishëm Besim Beqaj.
Unë ju siguroj që do të kemi një bashkëpunim shumë të hapur, shumë transparent para mediave, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të ju siguruar dhe njoftuar në baza të rregullta për mënyrën se si mblidhet dhe si shpenzohet paraja publike, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Hoti falënderoi ministrin e deritanishëm Besim Beqaj për bashkëpunimin e deritanishëm e sidomos ditëve të fundit në tranzicionin e kompetencave për të siguruar që është bërë një tranzicion plotësisht institucional. Ai tha se sot kishim një takim për pranim- dorëzimin e pozitës së Ministrit dhe kishim një bisedë shumë miqësore dhe shumë institucionale për përgjegjësitë që na presin.
Sipas Ministrit Hoti, bashkëpunimi më z. Beqaj do të vazhdojë edhe më tej , në cilësinë e deputetit në Kuvendin e Kosovës, meqenëse sfida e parë e përbashkët do të jetë aprovimi i buxhetit për vitin 2015, edhe pse me vonesë , por me shpresë se shumë shpejt brenda këtij viti do të përmbyllen edhe këto procese.
Ndërsa, ministri i deritanishëm Besim Beqaj në përfundim të mandatit të tij, duke uruar Ministrin e ri Hoti, tha se Unë e njoftova Ministrin e ri për të gjitha ato sfida respektivisht angazhime dhe prioritete të cilat janë të parapara në kuadër të Ministrisë së Financave për vitin 2015. Dhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe kam nderin të ja dorëzoj detyrën një kolegu të fakultetit Ministrit Hoti i cili besoj që më përkushtimin e vetë maksimal por edhe me ekipin të cilin e kemi gjetur dhe po e lëmë në Ministri të Financave, është një ekip profesional që do ta bëjë të suksesshëm mandatin e Ministrit Hoti.
Ministri Beqaj tha se ky vit po përmbyllet me stabilitet të plotë financiar, me bilanc shumë të mirë bankar, bilanci sot është diku rreth 242 milionë euro. Dhe gjithashtu ky vit po përmbyllet me rregull fiskale dhe me të gjitha obligimet e mbuluara sa i përket pagave.
Gjithashtu e njoftova edhe me nismat të cilat janë bërë në drejtim të luftimit të ekonomisë joformale në përputhje me strategjinë e Qeverisë, shtoi Beqaj.