Ministri Abrashi vazhdon takimet intensive të me autoritetet franceze
Paris, 11 shkurt - Në kuadër të vizitës në Paris, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale z. Arban Abrashi, takoi zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të udhëhequr nga znj. Florence Mangin, drejtoreshë për Evropë Kontinentale dhe zt. Guillame Rousson, zv/drejtor për Ballkanin.
Në takim Ministri Abrashi falënderoi shtetin e Francës për angazhimin dhe ndihmën e dhënë deri më tani në procesin e shtetndërtimit të Kosovës dhe theksoi nevojën për një bashkëpunim më të thelle mes dy vendeve, posacërisht në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Drejtoresha Mangin e njoftoi Ministrin Abrashi për përgatitjet rreth Samitit të Parisit që do të mbahet në korrik të këtij viti, ku fokusi do të jetë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe aftësimin profesional.
Me këtë rast znj. Mangin e ftoi Ministrin Abrashi që të dërgojë një ekip ekspertësh në këtë samit evropian, ku janë të ftuara edhe vendet e Ballkanit në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete e të prekshme.
Ministri Abrashi u takua gjithashtu edhe me deputetë të Asamblesë Kombëtare të Francës, anëtarë të grupit të miqësisë Kosovë - Francë, kryesuar nga deputetja Geneviève Gosselin-Fleury.
Në këtë takim Ministri Abrashi falënderoi grupin e miqësisë për rolin e tyre në thellimin e marrëdhënieve Kosovë - Francë duke theksuar se forume të tilla janë rruga e duhur për ndërtimin e miqësive jetëgjata.
Diskutimi u fokusua kryesisht në zhvillimet e fundit dhe gjendjen politike dhe ekonomike në Kosovë.
Deputetët shprehën gatishmëri për përkrahje konkrete të projekteve dhe ideve të bashkëpunimit të cilat i prezantoi Ministri Abrashi.