Ministri Abrashi shpalos metoden e re të inspektimit
Prishtinë, 19 shkurt - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i shoqëruar nga drejtori i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi kanë shpalosur sot metodën e re që do të fillojë tash e tutje gjatë inspektimit tek punëdhënësit lidhur me mbikëqyrjen, fuqizimin dhe zbatimin e Ligjit të Punës dhe Ligjit për Sigurinë në Punë.
Ky inspektim i ri sipas tyre do të jetë përpilimi i një liste me dokumentacion të nevojshëm të legjislacionit përkatës si dhe informimi i punëdhënësve me këtë listë një muaj më parë.
Sipas ministrit Abrashi kjo qasje e re e inspektimit do të ndihmojë në reflektimin e bizneseve ku do të kenë kohë mjaftueshëm të përmirësojnë ngecjet në rast që ekzistojnë duke aluduar kështu në sensibilizimin dhe vetëdijësimin e punëdhënësve dhe jo gjobitjen ndaj tyre.
Kjo është një qasje e re në mbikëqyrjen e legjislacionit në fuqi duke i udhëzuar punëdhënësit si të zbatojnë ligjet ku ata do të kenë një muaj kohë të reflektojnë dhe një ditë dikush mund të shkoj tek bizneset dhe ata nuk mund të thonë se nuk e kemi ditë, ka shtuar Abrashi.
Gjatë kësaj konference kryeinspektori i TEIP z. Basri Ibrahimi si aktivitet për vitin 2015 ka përmendur identifikimin e numrit të punëtorëve pa kontrata i cili është dukshëm më i vogël se ai i vitit 2014 si dhe një ngritje e lehtë të punësimit të gruas.
Ndërkaq kryetari i BSPK-së z. Haxhi Arifi, nuk i mohoj të arriturat e punës së inspektorëve gjatë vitit të kaluar, por nuk ishte dakord me metodën e re të inspektimit, e cila sipas tij nuk do të arrij ti disiplinoj punëdhënësit.