Ministrat rehatojnë gratë
Prishtinë, 6 qershor - Shumica e ministrave dhe deputetëve të Kuvendit janë kujdesur që gratë e tyre ti rehatojnë në kompani publike, apo në institucione të ndryshme shtetërore.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, vite më parë e ka punësuar gruan në Postë Telekomin e Kosovës, para se kjo e fundit të privatizohej, ku merr një pagë vjetore prej 7000 euro.
Edhe më shumë se bashkëshortja e Rexhepit, paguhet gruaja e ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci, e cila ka rreth 12 mijë euro të hyra vjetore nga operatori i telefonisë mobile Vala.
Edhe bashkëpartiaku i Rexhepit dhe Stavilecit, deputeti Bekim Haxhiu i njohur me nofkën Kamishi e ka rehatuar gruan në PTK, ku merr pagë vjetore prej rreth 12 mijë euro.
Ndërsa bashkëshortja e zëvendësministrit të Administratës Publike, Hajredin Hyseni, është e punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku paguhet 900 euro në muaj.
Edhe shefi i shefave të PDK-së, ashtu siç u bë i njohur në aferën e përgjimeve telefonike Pronto, Adem Grabovci, është kujdesur që bashkëshorten ta punësojë në kompaninë publike Ibër Lepenc, ku merr pagë vjetore prej 7960 euro, ndërsa djali i tij, Guxim Grabovci, i cili pati sulmuar një pjesëtar të Policisë së Kosovës, punon në Qendrën e Automjeteve të Kosovës, ku paguhet 5400 euro në vit.
/Zëri/