Milionerët e paligjshëm, në duart e Speciales
Prishtinë, 18 gusht - Milionerët e pasluftës në Kosovë dhe të inkriminuarit në fushën ekonomike dhe në atë të krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kalojnë gjithsesi në filtrin e Gjykatës Speciale.
Funksionimi i kësaj gjykate nuk do të prekë vetëm individë, zyrtarë të lartë, por edhe drejtues biznesesh të paligjshme, që pa dyshim kanë lidhje me njerëzit e politikës.
Ky është informacioni i sigurt që ka Prokuroria e shtetit dhe që konfirmohet nga burime të gazetës. Çka do të thotë se këndvështrimi i Gjykatës Speciale nuk do të jenë vetëm krimet e luftës apo vetëm i ashtuquajturi raport i Dick Martyt, por edhe raste të rënda të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik.
\"Gjykata Speciale është e orientuar tjetërkund. Nuk është vetëm për krime lufte, por do të përfshijë edhe krime të tjera të rënda. Atje do shkojnë krimet ekonomike, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Gjykata Speciale do të na ndihmojë shumë, pasi do të pastrojë shumë institucione.\"
\"Ajo do të jetë shumë e dobishme edhe për ne në drejtësi. Duhet të bëhen hetimet ndaj milionerëve se ku kanë qenë më herët dhe ku janë tani dhe për të parë se si kanë ardhur deri këtu. Janë lakuar emra individësh dhe kompanish, ndërkohë që nuk është bërë asgjë. Vendorët e kanë pasur problem të akuzojnë për shkak të rrethanave\", ka thënë një burim i gazetës, pjesë e organit të akuzës.
/Kosova Sot/