Milionat e politikanëve nga prona komunale
Prishtinë, 25 nëntor - Disa ministra të Qeverisë së Kosovës, ish-kryeministra, zyrtarë të lartë të PDK-së dhe LDK-së, kanë blerë dhjetëra banesa, lokale afariste nga Ndërmarrja Publike Banesore nën çmimin e tregut. Të njëjtat prona në formularët e deklarimit të pasurisë i kanë vlerësuar shumëfish më shtrenjtë
Ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me të gjithë vëllezërit dhe familjarët e tij ka blerë jo më pak se 23 banesa, lokale dhe garazhe, nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), prona komunale këto të paguara nën vlerën e tregut.
Nuk është vetëm Deshishku që ka blerë patundshmëri nga kjo ndërmarrje. Por, të njëjtën gjë e kanë bërë edhe disa ministra aktualë të Qeverisë së Kosovës dhe disa zyrtarë të lartë të koalicionit (PDK-LDK).
Sipas një dokumenti të NPB-së mbi shitjen e patundshmërive, të cilin e posedon gazeta Zëri, ish-deputeti Deshishku më 15 dhjetor 2002 ka blerë nga kjo ndërmarrje një banesë me sipërfaqe prej rreth 117 metra katrorë në afërsi të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, ku metri katror i banesës është paguar 787 euro.
Ndërsa tri garazhe te Eqrem Çabej me sipërfaqe prej rreth 75 metra katrorë i ka paguar në atë kohë për më pak se 30 mijë marka gjermane, përkatësisht në periudhën 2000-2001.Ndërsa, gjatë legjislaturës së kaluar kur Deshishku ishte deputet i LDK-së, ky i fundit banesën që në vitin 2002 për rreth 92 mijë euro e kishte vlerësuar hiç më pak se 180 mijë euro, dyfish më shtrenjtë se që e ka blerë.
Edhe garazhet ai i kishte vlerësuar 30 mijë euro, të blera para më shumë se një dekade për 30 mijë marka gjermane.
Në vitin 2012, kur ai ishte deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit pasuri të paluajtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro dhe 6.5 milionë euro të tjera aksione në kompani të ndryshme.
Në listën e blerësve të patundshmërive të NPB-së, përpos Hashim Deshishkut, figurojnë edhe vëllezërit e tij Bekim Deshishku, Bashkim Deshishku, Adem Deshishku, Riza Deshishku, Metush Deshishku, Fahrie Deshishku dhe Hava Deshishku.
/Zëri/