Milionat e dyshimta të këshilltarit të ish-kryeministrit Thaçi
Prishtinë, 3 mars - Arie Rabfogel tashmë nuk është emër i njohur në Kosovë. Edhe në kohën kur ishte këshilltar i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, pak veta e njihnin me emër. Atij i referoheshin vetëm si këshilltari i fuqishëm izraelit. Kjo për faktin se ai kishte ndikim të madh në shumë fusha në Kosovë.
Sipas dokumenteve zyrtare që na ka dërguar zyra për media e Qeverisë së Kosovës, Rabfogel ka qenë i angazhuar si këshilltar në periudhën 1 shkurt 2008 deri me 28 maj 2009. Por, ai ishte angazhuar edhe në fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e vitit 2007, të cilat i fitoi kjo parti.
Disa muaj pasi Rabfogel ishte emëruar këshilltar i Thaçit, kishte hapur një llogari në bankën zvicerane “Credit Suisse”.
Preportr ka arritur të ketë qasje në të dhënat që kanë rrjedhur nga kjo bankë.
Kodet përkatëse bankare, tregojnë se ai ishte me vendbanim në Kosovë kur e ka hapur llogarinë bankare në Zvicër.
Me 30 prill të vitit 2009 ai në llogarinë e tij kishte shumën maksimale prej 4 milionë e 396 mijë e 224 franga zvicerane. Rabfogel e kishte mbyllur llogarinë e tij në këtë bankë me 16 shtator 2011.
Të dhënat që ne kemi arritur t’i sigurojmë nuk na japin një pasqyrë lidhur me prejardhjen apo se nga janë transferuar ato para.
Por ajo që dihet është se këto para janë transferuar në llogarinë e tij bankare derisa ka qenë duke jetuar në Kosovë.
Hulumtimi i bizneseve të tij na tregon se këto para ai mund të mos i ketë fituar nga aktivitetet biznesore që i ka tani, sepse shumicën prej tyre ai i ka hapur pasi që është larguar nga Kosova.
Për më tepër, Rabfogel nuk kishte marrë fare pagë nga Qeveria e Kosovës lidhur me angazhimin e tij si këshilltar edhe pse në kontratë e kishte të përcaktuar pagën bruto prej 525 euro.
“Arie Rabfogel, nuk figuron në listë të pagave, d.m.th. nuk ka marrë pagë nga Zyra e Kryeministrit si dhe nuk ka krijuar asnjë shpenzim tjetër”, thuhet në përgjigje.
Nuk dihet nëse ai ka marrë ndonjë pagesë nga PDK-ja, parti të cilën e udhëhiqte shefi i tij Hashim Thaçi.
Preportr që nga 18 gushti i vitit të kaluar ka dërguar pyetje te kjo parti për të ditur nëse i kanë dhënë ndonjë pagë Rabfogelit për angazhimet e tij dhe në cilën periudhë kohore, por nga PDK nuk kanë kthyer përgjigje.
Në vitin 2009 është përfolur shumë për ndikimin që mund ta ketë pasur Rabfogel në nënshkrimin e një kontrate mes Qeverisë së Kosovës me kompaninë Saatchi&Saatchi, dega në Izrael.
Kjo kontratë që është nënshkruar me 14 prill të vitit 2009 nuk është bërë asnjëherë publike dhe ka pasur deklarata të ndryshme në opinion lidhur me vlerën monetare të saj. Preportr e ka siguruar këtë kontratë nga Ministria e Financave. Vlera e kontratës ka qenë 5 milionë e 704 mijë euro.
Qëllimi i kontratës ka qenë promovimi i imazhit të Kosovës në mediat ndërkombëtare. Por ajo çka është parë në terren në atë periudhë kohore, kanë qenë disa billborde të vendosura në qytete të ndryshme të Kosovës dhe video promovuese të cilat ishin shfaqur në disa televizione ndërkombëtare.
Preportr ka kërkuar ndonjë raport të punës që e ka sjellë kompania “Saatchi&Saatchi” dhe pagesat që i janë bërë kësaj kompanie, por nga Ministria e Financave thonë se nuk kanë asnjë raport të punës nga kjo kompani.
Ndërkohë, 16 ditë pas nënshkrimit të kësaj kontrate, Rabfogel kishte në llogarinë e tij shumën prej 4 milionë e 396 mijë e 224 franga zvicerane, ndërsa rreth një muaj pas nënshkrimit të kontratës me “Saatchi&Saatchi”, ai zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit Thaçi.
“Merakli” i parave
Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Hashim Rexhepi, është një nga personat që e ka takuar Arie Rabfogelin. Ai thotë se Rabfogel ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha konferencat e rëndësishme ku është përfaqësuar Kosova jashtë vendit në periudhën sa ka qenë këshilltar i Thaçit.
Siç duket, Rabfogel ishte shumë i interesuar edhe për paratë që menaxhoheshin në Kosovë. Këtë e kishte bërë edhe me veprime konkrete në vitin 2009, kur i ka kërkuar guvernatorit të atëhershëm Hashim Rexhepit t’i investojë rreth 1 miliard euro në bankat që ai do t’ia propozonte.
Rexhepi në një intervistë për “Gazetën Fjala”, detajet e të cilës i ka konfirmuar edhe gjatë një takimi me Preportr ka thënë se derisa ishte në një konferencë të IBRD-së (Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim), në ditën e dytë të punimeve të konferencës, i ishte thënë nga ministri i atëhershëm i ekonomisë dhe financave Ahmet Shala, që të mos planifikojë asgjë për në mbrëmje, sepse do ta kenë një takim shumë të rëndësishëm me disa investitorë të huaj.
Rexhepi thotë se ashtu siç ishin dakorduar me ministrin, në mbrëmje ka dalë duke e pritur para hotelit ku ishte i vendosur delegacioni i Kosovës.
“Erdhi ministri Shala duke u nxituar dhe më tha se i kishte dalë një punë urgjente dhe më luti që të shkoj në takimin me investitorët që mos të na dështojë takimi pasi që është i rëndësishëm. E mora adresën e vendit ku duhej të mbahej takimi. Ishte goxha larg nga hoteli ku ishim vendosur ne. Për habi, kur arrita te hoteli ku duhej të mbahej takimi, më doli përpara këshilltari i kryeministrit, izraeliti Arie (Rabfogel). Pasi u përshëndetëm, e pyeta se ku janë investitorët, ai buzëqeshi dhe më tha se do ta kem takimin me të”, tregon Rexhepi.
Lidhur me kontratën e sipërpërmendur, Preportr ka dërguar pyetje edhe te kompania “Saaatchi&Saatchi”, por nuk ka marrë përgjigje.
Por fakti që ai po takonte Rabfogelin, e jo investitorët e huaj siç i ishte thënë, nuk ishte befasia e vetme në atë mbrëmje në Londër për Rexhepin. Ai thotë se u befasua edhe më shumë kur dëgjoi kërkesën e këshilltarit të kryeministrit.
“Më tha se Banka Qendrore menaxhon me mbi 1 miliard euro, dhe do të ishte mirë që t’i investonim ato para në bankat që do të na propozonte ai, duke bërë me shenjë me gishta se të gjithë do të ndahemi të kënaqur, në kuptim të përfitimeve materiale”, tregon Rexhepi.
Ai thotë se Rabfogel nuk ia kishte përmendur se në cilat banka kishte planifikuar të dërgoheshin paratë, në çfarë forme do të investoheshin dhe detaje të tjera, pasi që biseda kishte ngecur në fazën fillestare. Rexhepi nuk e kishte pranuar këtë propozim.
“Unë i kam thënë jo, pasi që ligji është i tillë që ne kemi një komunitet investimesh dhe pasi që është kohë krize ne jemi shumë të kujdesshëm në menaxhimin e parasë publike me të cilat menaxhon Banka Qendrore”, ka thënë Rexhepi.
Ai thotë se pasi ia dha këtë përgjigje, biseda për këtë temë u ndal dhe takimi u bë paksa i pakëndshëm. Rexhepi thotë se aty kanë qëndruar edhe për disa minuta dhe pas atij takimi, kurrë më nuk e ka parë Rabfogelin.
Disa javë pas këtij takimi kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi kishte organizuar një takim lidhur me investimet e mjeteve të Trustit Pensional të Kosovës. Rexhepi kujton se në atë takim kishin marrë pjesë zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi, ministri Ahmet Shala, kryetari i bordit të Trustit Besim Beqaj dhe drejtori i Trustit Ardian Zalli.
Ai kujton se gjatë takimit ka propozuar që një pjesë e mjeteve të Trustit Pensional të investohen në bankat komerciale të Kosovës, por ky propozim nuk është përkrahur nga kryeministri Thaçi dhe për më tepër thotë se ai filloi ta sulmojë për keqmenaxhim me Bankën Qendrore të Kosovës.
“Aty e kuptova se këto akuza ishin refleksion i refuzimit që ia kisha bërë kërkesës së këshilltarit të tij Arie”, thotë Rexhepi.
Ai thotë se disa ditë pas këtij takimi, Trusti Pnsional i Kosovës i ka investuar rreth 75 milionë euro në institucionin financiar “Fortis” të Belgjikës, e që sipas tij në atë kohë ishte pranë falimentimit për shkak të krizës financiare dhe po mbahej në jetë vetëm falë ndërhyrjes se qeverisë belge.
Rexhepi thotë se sapo e ka marrë këtë informacion ka urdhëruar vartësit e tij që ta bëjnë një inspektim lidhur me këtë investim. Por inspektimi nuk u krye, pasi që pas pak ditësh, me 23 korrik të vitit 2010, ai u arrestua në mënyrë spektakolare nga Policia e Kosovës nën dyshimin për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit etj.
Pas qëndrimit për katër muaj në paraburgim, Rexhepi me 12 dhjetor të vitit 2011 u shpallë i pafajshëm nga nëntë akuzat me të cilat ngarkohej nga prokuroria.
Ai thotë aktakuza ndaj tij ishte e fabrikuar dhe se fati i tij i mirë ishte që gjykatësi ishte një i huaj nga misioni i Bashkimit Evropian – EULEX.
Të gjithë këtë dramë që ai thotë se ia organizuan duke i shkaktuar vuajtje dhe pasoja të shumta, e lidh me refuzimin që ia kishte bërë Arie Rabfogelit për t’i investuar rreth 1 miliard euro në bankat që ai do t’ia propozonte.
Lidhur me këtë çështje Preportr ka tentuar të kontaktojë ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, por nuk ka arritur të gjejë kontakt të tij, pasi që në vitet e fundit ka jetuar jashtë Kosovës. Atij pyetjet i janë dërguar vetëm në llogarinë e tij në Facebook, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.
Rabfogel kishte ndikim në shumë fusha
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Driton Tali ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të rolit dhe fuqisë që e kishte Arie Rabfogel në Kosovë në periudhën 2007 -2010. Tali ka thënë për Preportr se Rabfogel ishte një person me ndikim të madh në shumë fusha.
“Ai ka qenë person me ndikim të madh te ish-kryeministri Hashim Thaçi. Shumicën e vendimeve të rëndësishme z.Thaçi i ka marrë në koordinim me Arien. Ai ndër të tjera ka qenë edhe udhëheqës i fushatës së PDK-së në vitin 2007”, thotë Tali.
Ai theksoi se Rabfogel derisa ishte këshilltar i Thaçit, njëkohësisht ka qenë edhe koordinator i projektit të madh energjetik “Kosova e Re” që planifikohej të ndërtohej në Kosovë fillimisht me një kapacitet prej 2100 megavat, e që më vonë u bë 1000 megavat.
“Duke marrë parasysh ndikimin që e ka pasur në Kosovë në atë periudhë kohore, është e mundshme që pasuria që ai e ka jashtë vendit ta ketë pasur burimin edhe nga Kosova”, thotë Tali.
Se Rabfogel kishte ndikim në Kosovë e tregojnë edhe dy e-maila që i ka siguruar Preportr.
Drejtori i atëhershëm kompanisë “Ferreonikeli”, Kostas Lamantos, iu kishte drejtuar me një e-mail Arie Rabfogelit lidhur me një leje mjedisore që Ministria e Mjedisit ia kishte lëshuar një kompanie tjetër për të operuar, siç thuhet në e-mail në pronat e Ferronikelit.
“Kjo është për të ju informuar juve se kjo çështje është e një rëndësie të madhe për kompaninë tonë dhe ka nevojë për vëmendjen tuaj personale dhe të menjëhershme”, thuhet ndër të tjera në këtë email.
Gjithashtu edhe Lorik Haxhiu i cili ka qenë udhëheqës i projektit energjetik “Kosova e Re”, i kishte shkruar Rabfogelit lidhur me një çështje që kishte të bënte me blerjen apo riparimin e disa ekskavatorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
I kontaktuar nga Preportr lidhur me këtë çështje, Haxhiu ka thënë se Rabfogel ka qenë këshilltar i kryeministrit dhe pikë kontakti për te, lidhur me çështjet e energjisë që kanë qenë aktuale në atë kohë.
Ndikimin e Rabfogel e ka përmendur edhe publicisti Veton Surroi në një shkrim të publikuar në maj të vitit 2017. Ai ka shkruar se Rabfogel ka qenë edhe pjesë delegacionit të Kosovës gjatë bisedimeve me Serbinë për statusin e Kosovës.
“Ndoshta pse ishte i vogël nuk e vërejtëm praninë e tij, por nga njëri prej udhëtimeve të Ekipit të Unitetit si anëtar i delegacionit të Kosovës përnjëherë kishim edhe një qytetar izraelit. Thuajse të kishte qenë i trajnuar në treshet e atëhershme të ilegales, as u prezantua e as fliste. Dikush tha se quhej Ari - e kishte shkurt prej Ariel - dhe Hashim Thaçi, kryetar i atëhershëm i PDK-së, tha se vinte si këshilltar i tij”, shkruan ndër të tjera Surroi.
Ai ka ngritur edhe çështjen se si do të paguhej Rabfogel për shërbimet e tij gjatë fushatës zgjedhore që ia ofronte kryetarit të PDK-së Hashim Thaçit që pas zgjedhjeve u bë kryeministër.
“A do ta paguante Arin (dhe firmën e tij të madhe) sikur bëri me një firmë vendore PR (një grua vulgare dhe një burrë i tërhequr zvarrë nga pretendimi se i përket botës së artit) duke e fryrë faturën e shërbimeve për balonat dhe fishekzjarrët e shpalljes së Pavarësisë, në mënyrë që të mbulohej ndonjë faturë reklame televizive a tjetër? A do ta paguante me 6 milionë euro që ia dha firmës “Saatchi&Saatchi” të Izraelit, si pagesë formale për reklamën "Young Europeans"? A do ta paguante, siç pëshpëritej, me punët rreth kontraktimit për Termocentralin e ri?”, kishte shkruar ndër të tjera Surroi.
Bizneset e Rabfogel
Arie Rabfogel tani merret me punë të konsulencës. Ai ka disa biznese që merren me këtë fushë. Rabfogel është aksionar dhe pronar i kompanisë “Paralot Limited” që nga themelimi. Në këtë kompani që është themeluar në vitin 2012 në Qipro, ai figuron edhe si drejtor. Me këtë emër, kjo kompani nuk ka faqe në internet apo në Facebook.
Rabfogel ka lidhje edhe me një kompani tjetër në Qipro. Ai është drejtor në kompaninë “Rashidex LTD” e cila është themeluar në vitin 2010. Gjithashtu, ky biznes nuk ka ndonjë ueb-sajt në internet me këtë emër.
Përveç Qipros, Rabfogel ka qenë aksionar në kompaninë kroate të patundshmërive “Chesnut Real Estate d.o.o.” deri në shkurt të vitit 2016. Ai ishte bashkëthemelues i kësaj kompanie me Josip Marohnić, i cili është avokat në Kroaci. Kapitali aksionar i kësaj kompanie ishte 20,000 kuna, përkatësisht 2600 euro.
Në nëntor të vitit 2018 ata kanë iniciuar mbylljen e kësaj kompanie dhe ajo zyrtarisht ndaloi së funksionuari në qershor të vitit 2020.
Ai është drejtor menaxhues në kompaninë “Rabfogel GMBH”, e cila është themeluar në mars të vitit 2017 në Vjenë të Austrisë me kapital prej 35 mijë euro. Aktivitetet kryesore të kësaj kompanie janë këshillat për biznese, blerje menaxhim etj.
Sipas të dhënave të publikuara vitin e kaluar nga platforma DNB, Rabfogel GMBH ka dy punëtorë dhe gjeneron 128,738 dollarë në shitje.
Lidhur me të gjitha këto çështje, Preportr ka dërguar pyetje në dy adresat elektronike të Rabfogel, të cilat i ka gjetur në të dhënat e bizneseve të tij, por edhe pas pritjes për disa muaj, ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
/https://preportr.cohu.org/sq/hulumtime/Milionat-e-dyshimta-te-keshilltarit-te-ish-kryeministrit-Thaci-388/