Mijëra qytetarë ikin, konsumi bie frikshëm, bizneset falimentojnë
Prishtinë, 27 shkurt - Përfaqësues të odave, deputetë të opozitës dhe njohës të rrethanave ekonomike, vlerësojnë se për shkak të largimit të popullatës së saj në Kosovë dita-ditës po bie konsumi dhe kemi një rënie të fuqisë blerëse.
Analistët ndërkaq thonë se si pasojë e kësaj ikje të qytetarëve në shumë vende po vërehet se lokalet po jepen me qira, e në shumë raste ato lokale nuk po i merr askush dhe kjo është një shenjë se Kosova po zbrazet.
Specialistët thonë se në komunat e vogla e të mëdha të Kosovës njerëzit ankohen se puna po u bie me të madhe dhe u gëzohen vetëm sezoneve kur vijnë bashkatdhetarët tanë.
Andaj, sipas deputetëve opozitarë dhe analistëve, Kosovën në këtë gjendje e solli politika e tejinkriminuar, e cila vazhdon që të zhvatë qytetarët dhe si pasojë e kësaj zhvatje dhe për shkak të mossundimit të ligjit qytetarët e dëshpëruar po ikin sa më larg prej Kosovës.
Në përgjigjen e zyrtarëve të Odës së Afarizmit të Kosovës që e dha nënkryetari i OAK-ut, Arsim Selmonmusaj për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pajtohen me vlerësimin se konsumi në Kosovë po bie për shkak të largimit të popullatës së saj dhe rënies së fuqisë blerëse.
“Duke u bazuar në fuqinë e konsumit ne e dimë se mosha 20-50 vjeç është një potencial për konsum dhe shpenzime, por kjo gjeneratë është duke ikur në vende të ndryshme të Evropës për të gjetur një jetë më të mirë, prandaj duke u bazuar në këtë, në Kosovë po bie potenciali i konsumit."
"Nga 58 mijë fëmijë që kanë lindur në vitin 1988, sipas Entit të Statistikave të Kosovës në vitin 2010 janë 34 mijë, në vitin 2017 janë 23 mijë që do të thotë se kemi pasur një rënie të lindjeve gati 50 për qind, që na tregon se nga viti 2010 e tutje kemi rënie të numrit të lindjeve."
"Andaj ne si Odë e Afarizmit të Kosovës, kemi një këshillë për ndërtuesit, ngaqë po ndërtojnë pa destinacione dhe pastaj e vënë njoftimin se jepet objekti me qira, andaj këshillojmë ndërtuesit që para se të ndërtojnë le të analizojnë mirë projektin dhe veprimtarinë biznesore”, u shpreh ai.
Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot” thotë se zbrazja e Kosovës nga qytetarët e vet për të kërkuar jetë më të mirë në Perëndim, që këtu u ka munguar dhe u mungon në Kosovë, është një alarm që duhet të jetë po aq i fuqishëm saqë të gjitha institucionet e vendit të ngrihen në këmbë e të merren me këtë problem për të parandaluar ikjen e qytetarëve të saj.
“Kjo pasi që me këto ikje qytetarët do ta varfërojnë Kosovën, ngase do të bjerë konsumi dhe do të bien edhe taksat, sepse ata qytetarë tanë janë edhe taksapagues të ndryshëm , kurse me këtë ikje do të bien edhe nataliteti që në Kosovë edhe ashtu ka një trend negativ. Dhe në fund veç saj do të bie edhe numri i votuesve dhe do të ketë ndryshime në skenën politike, sepse ata qytetarë janë edhe votues të vendit."
"Marrë parasysh të gjitha këto rrethana dhe këtë trend negativ të ikjes së qytetarëve tanë, AKB-ja vlerëson se shteti është në një situatë ku duhet që zgjedhë, ose t’i ndalë qytetarët e vet duke i joshur dhe duke u ofruar punë e perspektivë me politika më të mira ekonomike që të jetojnë më mirë e më dinjitetshëm ose që të lërë qytetarët të ikin nga Kosova dhe që të varfërohet vendi në çdo aspekt”, theksoi ai.
Deputeti i opozitës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Kosovën në këtë gjendje e solli politika e tejinkriminuar e pasluftës e garniturave të sundimtarëve tanë, e cila tash 2 dekada po vazhdojnë që të zhvatin qytetarët.
“Andaj edhe si pasojë e kësaj zhvatje dhe për shkak të mungesës së madhe të sundimit të ligjit, qytetarët e dëshpëruar e të zhgënjyer me padrejtësitë që po u bëhen me të drejtë po ikin sa më larg Kosovës. Si pasojë e largimit të popullatës së saj nga vendi i tyre tashmë po duket qartë se në Kosovë dita-ditës po bie konsumi dhe kemi një rënie të fuqisë blerëse të qytetarëve tanë.
Dhe, si rezultat i ikjes së qytetarëve nga Kosova, në shumicën e komunave tona tashmë po vërehet se lokalet me të madhe po jepen me qira, e madje në shumë raste ato lokale nuk po i merr askush dhe kjo është një shenjë se Kosova po zbrazet”, u shpreh ai.
“Madje kjo situatë e skamjes që po mbretëron në komunat e vogla e të mëdha të Kosovës njerëzit ankohen se puna po u bie me të madhe dhe u gëzohen vetëm sezoneve kur vijnë bashkatdhetarët tanë”, vijoi më tej Salihu.
“Këtë situatë do ta kemi derisa në pushtet ndodhet ky koalicion që ia morri perspektivën dhe të ardhmen e qytetarëve të vet, duke i detyruar ata që ta braktisin Kosovën nga skamja e madhe dhe mungesa e perspektivës në vend, sepse sot në Kosovën e lirë 2 dekada pas lufte e kemi një papunësi që sipas BB-së dhe FMN-së arrin në kuotën deri në 40 për qind ,veç saj kemi me mijëra të varfër që me 1dollarë e gjysmë e mezi e kalojnë ditën. Kurse situata rëndohet aq më tepër kur me mijëra veta i shtrohet tregut të punës si persona të diplomuar në universitetet publike dhe kolegjet private”, vlerëson Salihu.
Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se politika e inkriminuar, politikanët e korruptuar dhe Qeveria egoiste kanë bërë qytetarët të largohen nga Kosova dhe që të bjerë ndjeshëm fuqia blerëse.
“Nuk janë vetëm lokalet që po jepen me qira, por edhe banesat edhe shtëpitë gjithashtu dhe e tëra kjo po ndodh ngase banorët legjitimë po ikin nga Kosova për të punuar në sezon në ndonjë vend të BE-së. Veç saj, qytetarët po ikin edhe ilegalisht dhe nga pamundësia për t’i rikthyer paratë që i kanë marrë borxh dhe po detyrohen që banesat e tyre dhe shtëpitë t’i lëshojnë me qira me një çmim të ulët dhe simbolik, ose që t’i japin ndonjë agjencie që merret me shitblerje të pronave, në mënyrë që ato të jepen me qira tek ata qytetarë që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë më shumë se 6 muaj.
Është më se e vërtetë se në komunat e vogla të Kosovës puna jashtë sezonit po bie, kurse vetëm gjatë sezonit veror kanë punë, por shtrohet pyetja se si po mbesin ende të hapura këto lokale gjatë sezoneve kur nuk ka turizëm të mjaftueshëm. Prandaj për këtë do ishte mirë që Ministria për Punë dhe çështje sociale të përgjigjet, sepse asnjëherë deri më sot nuk u kanë dalë në ndihmë sa duhet këtyre qytetarëve, të cilët mezi po mbijetojnë dhe po detyrohen që të paguajnë edhe qiranë, e cila për shumicën e personave të varfër është edhe e papërballueshme, andaj nuk duhet të çuditemi nga migrimi i qytetarëve tanë dhe nga rënia e konsumit në vend”, u shpreh Grapci.
Ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë, ekonomisti Sejdi Halimi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se deri te rënia e konsumit po vjen si pasojë e papunësisë enorme dhe varfërisë ekstreme që e ka kapluar qytetarin e Kosovës.”Vlerësoj se në një situatë të tillë me mbi 20 për qind të banorëve që jetojnë në varfëri të skajshme, me shifra të papunëve që është mbi 60 për qind, e kanë sjellë këtë situatë të skamjes dhe mjerimit”, u shpreh ai. “Qytetarët tanë jo nga dëshira, por nga skamja e madhe që i ka kapluar, sikurse edhe nga mungesa e perspektivës për familjarët e tyre, po detyrohen që të ikin jashtë Kosovës me shpresën që të gjejnë ndonjë vend ku do të shpëtojnë nga skamja dhe mjerimi dhe ku do të punësoheshin.
Dhe, si pasojë e të gjitha këtyre të këqijave në Kosovë e kemi gjendjen si e kemi. Pra, kemi një rënie konsumi më të madh dhe kjo ka bërë që në tërë Kosovën të ankohen për mungesë të rënies së konsumit .Ndërsa e vetmja periudhë kur kemi një rritje të konsumit është periudha e verës kur nga Perëndimi vijnë bashkatdhetarët tanë dhe vetëm atëherë për tre-katër muaj kemi një rritje të punës dhe konsumit”, shpjegon më tej Halimi. Sipas tij, fajtor për këtë gjendje është politika e mbrapshtë e pasluftës e të gjitha qeverive që janë interesuar vetëm për pasurimin e vetes së tyre, kurse për popullin nuk kanë menduar fare.
Privatizimi zhvatës
“E them me keqardhje se sa shumë para kanë hyrë në Kosovën e pasluftës dhe sa ndihmat financiare që kanë ardhur sikur ato mos të vidheshin nga pushtetarët tanë tashmë Kosova ka qenë dashur që të jetë në njëfarë forme Zvicra e Ballkanit. Prandaj, politikanët tanë duhet që të mendojnë për popullin e jo vetëm për veten e tyre. Një kontribut fatal për këtë situatë të brishtë e ka dhënë edhe procesi i privatizimit që ishte eksperimental nga ana e UNMIK-ut dhe në vend që të hapte vende të reja pune procesi i privatizimit në Kosovë, që sipas shënimeve të BSPK-së ishte më i keqi në botë dhe ka lënë pa vende pune mbi 70 mijë veta”, theksoi Sejdi Halimi për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)