MIGA mbështet sektorin bankar në Kosovë
Washington, 25 qershor - Agjencia Shumëpalëshe e Garantimit të Investimeve (MIGA), institucioni i Grupit të Bankës Botërore që merret me sigurimin kundër riskut politik dhe me rritjen e kreditimit, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëzani në mbështetje të huadhënies së vazhdueshme për ekonominë reale që japin filialet e bankës Raiffeisen Bank International (RBI) në Shqipëri, Bjellorusi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi.
MIGA do ti japë dorëzani prej [457] milion euro RBI-së, grupit të dytë më të madh financiar që ushtron aktivitet në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Mbulimi nga MIGA do ta zvogëlojë riskun e operacioneve të RBI-së në këto vende, duke i dhënë mundësi kësaj banke të vazhdojë të japë kredi në to, duke nxitur kështu rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë.
Përmes përfshirjes së MIGA-s, filialeve të kësaj banke do tu kërkohet të përgatisin dhe zbatojnë sisteme të menaxhimit mjedisor dhe shoqëror në përputhje me risqet e portofolave të tyre. Pritet që ky kapacitet shtesë të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së përgjithshme kohore të klientëve biznes i madh dhe projekteve të investimeve të filialeve të kësaj banke.
Dorëzanitë e MIGA-s janë një mjet i rëndësishëm për menaxhimin e profilit të risqeve tona, teksa përpiqemi të përqendrohemi në tregje premtuese ku të mund të luajmë një rol të qëndrueshëm lidhur me ofrimin e mundësisë për të marrë financim. Jemi mjaft krenarë që jemi grupi i parë bankar austriak që vë në zbatim këtë produkt, thotë Karl Sevelda, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank International AG.
MIGA është krijuar në vitin 1988 si anëtare e Grupit të Bankës Botërore, për të nxitur investimet e huaja të drejtpërdrejta në ekonomitë e reja, me qëllim mbështetjen e rritjes ekonomike, uljen e varfërisë dhe përmirësimin e standardit të jetesës. MIGA e përmbush këtë mandat përmes ofrimit të sigurimit kundër riskut politik dhe rritjes së kreditimit për investitorët dhe huadhënësit.