MFPT dhe IFC nënshkruajnë marrëveshje për reformën e sektorit mikrofinanciar
Prishtinë, 1 qershor - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Drejtori Gjeneral i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) Ary Naim kanë nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi për ofrimin e ekspertizës teknike të IFC në draftimin e projektligjit për institucione mikrofinanciare në Kosovë.
Më konkretisht, ky bashkëpunim parasheh mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës në hartimin e projektligjit për mikrofinanca, i cili pritet të adresojë problemet e kahmotshme juridike-pronësore të këtij sektori.
Ndërtimi i një kornize rregullative do të mundësojë që institucionet mikrofinanciare të vendosen në një pozitë më të mirë për të zgjeruar gamën e shërbimeve të tyre, e në të njejtën kohë ndërmarrjeve mikro e ekonomive familjare të ju ofrohet qasje më e lehtë në shërbime financiare.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vlerëson lartë mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë dhe mbetet e përkushtuar në fuqizimin e sektorit privat, si faktor kyç në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.