MF-RIINVEST marrëveshje për publikimin e Pasqyrës Makroekonomike
Prishtinë, 11 prill - Ministria e Financave dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST kanë nënshkruar sot Marrëveshje Bashkëpunimi për përgatitjen dhe publikimin e Pasqyrës Makroekonomike për ekonominë e Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST Lumir Abdixhiku.
Sipas kësaj Marrëveshje, të dyja palët pajtohen të punojnë së bashku në përgatitjen dhe publikimin në baza tremujore të Pasqyrës Makroekonomike për ekonominë e Kosovës, dhe gjithashtu zotohen të ofrojnë resurset e nevojshme, për përgatitjen e kësaj Pasqyre Makroekonomike.
Ministria e Financave dhe Instituti RIINVEST me këtë Marrëveshje gjithashtu pajtohen të themelojnë një Bord Editorial që do të merret me rishikimin dhe mbikëqyrjen e punës në përgatitjen dhe publikimin e çdo serie të Pasqyrës Makroekonomike.
Pasqyra Makroekonomike është dokument, i cili do të paraqes të dhëna për periudhën raportuese dhe analiza sa i përket zhvillimeve makroekonomike në vend dhe pritjeve për periudhën e ardhshme.
Pjesë e këtij dokumenti do të jenë hulumtimet e kohëpaskohshme me bizneset, në lidhje me përceptimet e biznesit për sa i përket zhvillimeve ekonomike në vend dhe tema të tjera me interes ekonomik për vendin.