MF nënshkruan marrëveshje kornizë të kredisë me BZhKE
Prishtinë, 27 maj - Sot është nënshkruar marrëveshja e Amandamentimit nr.1 të Marrëveshjes Kornizë të Kredisë mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve përfaqësuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZhKE), përfaqësuar nga Guvernatori i BZhKE, z. Rolf Wenzel, në vlerë prej 25 milionë euro.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen pas aprovimit të këtij projekti në muajin mars të këtij viti brenda këtij BZhKE-së
Kjo Marrëveshje bazohet në marrëveshjen bazë të financimit prej 35 milion € të nënshkruar në gusht 2020, e cila ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve në kuadër të menaxhimit të pandemisë, me një fokus në përkrahjen e ballafaqimit të vështirësive për punonjësit shëndetësorë, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore, materialet mbrojtëse, dhe ndërtimin e zinxhirit të ftohtë.
Marrëveshja e Amandamentimit ka për qëllim ofrimin e mbështetjes për Qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për t’u ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga virusi COVID-19, financimin retroaktiv të vaksinave për rreth 50% të popullsisë, dhe menaxhimin e pandemisë në tërësi nga Qeveria e Kosovës.
“BZhKE mbetet një nga partnerët kryesorë ndërkombëtarë që ndihmojnë Kosovën me ballafaqimin me pandeminë COVID-19.”