MF kërkon ndërmarrjen e masave ligjore kundër korrupsionit
Prishtinë, 1 gusht - Ministria e Financave angazhohet për respektimin e ligjshmërisë dhe përcaktimin e përgjegjësisë individuale për të gjithë ata të cilët në çfarëdo mënyrë janë të implikuar në sjellje të cilat nuk përkojnë me obligimet dhe autorizimet ligjore.
Në këtë drejtim MF i jep përkrahje të plotë organeve të ndjekjes dhe drejtësisë që edhe në rastin e inspektorit tatimor në Zyrën e ATK-së në Pejë, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti, të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të përcaktuar përgjegjësinë e tij.
Njëkohësisht, Ministria e Financave i inkurajon të gjithë qytetarët e vendit që në organet e ndjekjes dhe drejtësisë të paraqesin të gjithë ata të cilët kryejnë veprat antiligjore siç është korrupsioni, zhvatja apo vepra tjera penale duke e keqpërdorur pozitën zyrtare, sepse vetëm në atë mënyrë mund të parandalohen sjelljet e tilla.
Lufta kundër këtyre dukurive mund të fitohet vetëm me bashkëpunimin e gjithanshëm të qytetarëve me organet shtetërore dhe me paraqitjen e rasteve të tilla tek institucionet e ndjekjes dhe drejtësisë në mënyrë që të ndërmerren dhe masat ligjore ndaj bartësve të këtyre dukurive.