MF dhe Zyra e Auditimit nënshkruajnë Marrëveshje për bashkëpunim
Prishtinë, 13 janar - Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe Auditor i Përgjithshëm Besnik Osmani kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, e cila ka për qëllim të lehtësoj bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve të palëve sipas fushë-veprimtarisë së caktuar me qëllim të ofrimit të të dhënave për interesa të përbashkëta.
Kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë angazhimin e Ministrisë së Financave dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, për thellimin e bashkëpunimit ndër institucional që synon shkëmbimin e të dhënave zyrtare, Zhvillimin e një sistemi modern, funksional dhe efektiv të menaxhimit të financave publike, si dhe rritjen e llogaridhënies së menaxhmentit të organizatave buxhetore përmes rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të aktiviteteve audituese.
Përmes kësaj marrëveshje do të krijohet një kuadër i cili do të shtoj vlerën, ndikimin dhe përfitimet e auditimeve të kryera duke u siguruar në të njëjtën kohë që auditimi i brendshëm dhe auditimi i jashtëm të kryhen me përgjegjësi dhe të arrijnë rolet përkatëse.
Zyra Kombëtare e Auditimit dhe strukturat përkatëse të Ministrisë së Financave, përmes kësaj marrëveshje marrin përsipër të informojnë reciprokisht njëri-tjetrin mbi rezultatet e arritura në përfundim të misioneve audituese të iniciuara mbi bazën e të dhënave të marruar nga pala tjetër.