MF dhe BERZH mbajnë takimin e radhës për portfolion
Prishtinë, 13 prill - Ministria e Financave dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbajtën sot takimin e radhës për portfolion, me palët implementuese të projekteve dhe me kreditorin përkatës që financon projektet përmes huamarrjes me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Financave.
Në këtë takim të udhëhequr nga zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, përveç përfaqësueses së BERZH-it Elena Petrovska pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e Institucioneve implementuese të këtyre projekteve, të cilët diskutuan për projektet dhe afatet e implementimit të tyre nga institucionet e Kosovës si dhe për impaktin që kanë këto projekte në zhvillimin e vendit.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi gjatë takimit të sotëm për rishikimin e portfolios me BERZH-in falënderoj përfaqësuesen e BERZH-it Elena Petrovska për gatishmërinë e mbajtjes së takimeve të rregullta për të rishikuar dhe diskutuar portfolion me BERZH-in.
Ai gjithashtu gjatë takimit tha se konsideroj se ky takim është një mundësi për tu koordinuar sa më mirë në implementimin e projekteve që kemi në bashkëpunim me BERZH-in dhe të sigurohemi që sfidat që ballafaqohemi gjatë fazës së implementimit të adresohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Çdo vonesë në implementim të projekteve mund të nënkuptoj, përveç tjerash, edhe kosto shtesë për Qeverinë e Kosovës, dhe me këtë rast Ministria e Financave është e gatshme që të bashkëpunoj për zgjidhjen e çdo sfide që paraqitet në implementimin e projekteve. Andaj, takimet e tilla janë shumë të rëndësishme të mbahen në baza të rregullta tha Zëvendësministri Krasniqi .
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi gjithashtu theksoi se deri tani Qeveria e Kosovës ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer me BERZH-in, për projekte infrastrukturore dhe gjithashtu jemi duke punuar në shumë iniciativa të Qeverisë së Kosovës për disa projekte për realizimin e tyre ne bashkëpunim me BERZH-in në të ardhmen e afërt si dhe shprehi përkushtimin e Qeverisë për nënshkrimin sa më të shpejt të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të BERZH-it dhe Ministrisë së Financave.
Ndërsa përfaqësuesja e BERZH-it për Kosovë Elena Petrovska gjatë takimit theksoi se takimet e tilla janë të mirëpritura nga BERZH-i, ku përmes të cilave po krijohet një ambient i mirë për të diskutuar në detale për implementimin e projekteve si dhe për identifikimin e sfidave gjatë implementimit.