Merkel: Reformat fiskale të Italisë, ulin kostot e borxhit
Berlin, 31 gusht - Kancelaria gjermane Angela Merkel shprehu besimin tek reformat fiskale të Italisë, duke thënë se ato do të ndihmojnë për të ulur kostot e borxhit të vendit.
Merkel i lëshoi sinjalet shpresëdhënëse pas ankandit të fundit të bonove italiane.
\"Konsolidimi i deritanishëm dhe reformat në axhendën e qeverisë italiane të Mario Montit janë mbresëlënëse dhe ata po i realizojnë ato hap pas hapi. Unë jam e bindur fort se kursi i reformave do të kontribuojë për uljen e normave të interesit.\" tha Merkel.
Kryeministri italian Mario Monti ndodhet në valën e reformave përfshirë atë të tregut të punës dhe rishikimin e pensioneve, shkurtimin e shpenzimeve dhe liberalizimin e tregut.
Italia dhe Gjermania janë të angazhuara edhe në hartimin e buxhetit afatgjatë për Bashkimin Europian.
\"Ne jemi të bindur se ndodhemi në rrugën e duhur dhe gjithashtu jemi të bindur se duhet përmirësuar aftësia e Eurozonës për të bashkëpunuar në muajt e ardhshëm.\" thotë ajo.