Merkel i premton Greqisë ndihmë në krijimin e vendeve të punës
Berlin, 8 janar - "Gjermania duhet të bëjë pjesën e saj për të mbështetur Greqinë në sfidën që vendi ka me faktorin papunësi", deklaroi pak më parë kancelarja gjermane, Angela Merkel, në Berlin pas një takimi me kreun e qeverisë greke Adonis Samaras.
''Edhe Berlini duhet të përdorë të gjitha mekanizmat që zotëron për të garantuar rritjen ekonomike dhe garantimin e vendeve të reja të punës'', theksonte ajo në një konferencë për shtyp të përbashkët me kryeministrin grek Samaras.
Merkel më pas sqaroi se do të qëndronte e informuar hap pas hapi mbi vazhdimësinë e reformave të ndërmarra nga Athina, por po ashtu edhe mbi pritshmëritë ekonomike të vendit.
Greqia po realizon ''progres dhe përpjekje të jashtëzakonshme'' dhe aktualisht nevojiten investime për t'i bërë ballë papunësisë në radhët e të rinjve, deklaroi sot, në Berlin, kryeministri grek, Adonis Samaras, pas një takimi të zhvilluar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
''Kemi bërë përpjekje dhe sakrifica të mëdha, por na nevojiten investime për t'i bërë ballë papunësisë së të rinjve në vend'', deklaroi kreu i qeverisë greke.
''Do të bëjmë ç'të jetë e mundur për të rikthyer në normalitet dhe në rendin e duhur situatën'', shtoi ai.
Samaras veçoi se qeveria greke kishte ndërmarrë ''masa sistematike'' dhe se kishte planifikuar hapa të shumta për rikuperimin e besimit të tregjeve.