Merkel: Evropa të krijojë vende pune

Berlin, 30 prill - Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një konferencë të përbashkët për gazetarë bashkë më homologun e saj Italian, Enrico Letta se Evropa duhet të gjejë mënyra për të krijuar vende pune dhe për të nxitur investimet.
Politika fiskale, natyrisht se nuk është gjithçka. Ne bëjmë politika për njerëzit, dhe njerëzit duan vende pune. Prandaj Evropa duhet të krijojë punësim dhe të inkurajojë investimet. Në këtë fushë kemi shumë për të bërë, citon Reuters, kancelaren Merkel.
Papunësia në Eurozonë ka arritur nivele të reja rekorde.
Zyra për Statistika e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka bërë të ditur se papunësia në të 17 vendet që përdorin euron ka arritur në 12.1 për qind në muajin mars me rreth 19.2 milionë njerëz të papunë.
Greqia mbetet vendi më i goditur, me 27.2 për qind papunësi, ndërsa pasohet nga Spanja me 26.7 për qind të njerëzve të papunë.
Shkalla më e ulët e papunësisë ka qenë në Austri, me 4.7 për qind, dhe në Gjermani, me 5.4 për qind.