20 Nëntor 2024

Mërgimtarët dërguan për 3 muaj 127 milionë euro

Prishtinë, 9 korrik - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e sektorit të jashtëm, në të cilat janë përfshirë statistikat e bilancit të pagesave, pozicionit të investimeve ndërkombëtare si dhe statistikat e borxhit të jashtëm të Kosovës për tremujorin parë të vitit 2013.

Raporti i BQK-së ka nxjerrë në pah se remitancat në tremujorin e parë të vitit 2013 kanë shënuar vlerën prej 127 milionë eurosh, apo 7 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2012.
Sipas raportit të BQK-së, deficiti i llogarisë rrjedhëse në tremujorin e parë të vitit 2013 ka shënuar vlerën 13.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 20.9 milionë eurosh sa ishte në tremujorin e njëjtë të vitit 2012.
 
“Kontribuuesi kryesor i deficitit mbetet kategoria e mallrave, deficiti i së cilës është rritur për 4.5 për qind dhe ka arritur vlerën 389.7 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2013, kurse kontribuuesit kryesorë në zbutjen e deficitit të llogarisë rrjedhëse janë transferet në vlerë prej 274.3 milionë eurosh, shërbimet me 59.5 milionë euro dhe të ardhurat me 42.4 milionë euro”, është thënë në raportin e BQK-së.
 
Në kuadër të transfereve rrjedhëse, remitancat në tremujorin e parë të vitit 2013 kanë shënuar vlerën prej 127 milionë eurosh, 7 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2012.
 
“Investimet e huaja direkte si një ndër komponentët me peshën më të madhe në kuadër të llogarisë financiare, në tremujorin e parë të vitit 2013 kanë shënuar rritje të lehtë prej 6-përqindësh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe arritën vlerën neto prej 60.1 milionë eurosh. Investimet në letra me vlerë jashtë vendit janë rritur gjithashtu për 53 milionë euro dhe kanë ndikuar në rritjen e deficitit në llogarinë financiare”, është thënë në raportin e BQK-së.

Rriten asetet e huaja

Sipas raportit të BQK-së, Kosova vazhdon të jetë neto kreditore ndaj pjesës tjetër të botës. Krahasuar me tremujorin paraprak, asetet e jashtme janë rritur për 3.8 për qind, duke arritur vlerën 3.85 miliardë euro, kurse detyrimet janë zvogëluar për 0.4 për qind dhe kanë shënuar vlerën 3.44 miliardë euro.
 
“Rritjes së aseteve të huaja më së shumti i ka kontribuar rritja e investimeve jashtë vendit në letra me vlerë, ndërsa zvogëlimit të detyrimeve më së shumti i ka kontribuar shlyerja e kredive tregtare. Investimet e huaja direkte kanë ndikuar në rritjen e detyrimeve. Kosova vazhdon të regjistrojë bilanc neto pozitiv të pozicionit të investimeve ndërkombëtare, i cili në fund të tremujorit të parë të vitit 2013 ishte 405.9 milionë euro”, është bërë me dije në raportin e BQK-së.

Borxhi i jashtëm i Kosovës 1.45 miliard euro


Borxhi i jashtëm bruto i Kosovës, i cili përfshin borxhin privat dhe borxhin publik, në tremujorin e parë të vitit 2013, sipas BQK-së, ka arritur vlerën 1.45 miliard euro, 10 për qind më i lartë sesa në tremujorin e parë të vitit 2012. “Borxhi publik ka një pjesëmarrje të ulët në gjithsej borxhin e jashtëm bruto me 398 milionë euro apo 27 për qind e borxhit të jashtëm bruto”, është thënë në raport.
 
Pjesa më e madhe e borxhit publik, sipas BQK-së, përbëhet nga borxhi i jashtëm i qeverisë, i cili në tremujorin e parë të vitit 2013 ka arritur në 332.8 milionë euro. Rritja e borxhit qeveritar kryesisht i atribuohet kredisë nga FMN-ja në kuadër të programit Stand-By që Kosova ka me FMN-në. Kurse Borxhi privat, i cili në fund të tremujorit të parë të vitit 2013 shënoi vlerën prej 1.05 miliard eurosh, përbën 73 për qind të borxhit të jashtëm bruto të Kosovës. “Pjesa më e madhe e borxhit privat është në formë të kredive ndërmjet kompanive që janë në relacion të investimeve të huaja direkte (597 milionë euro) e pasuar nga huamarrjet e bankave komerciale me 182 milionë euro.
 
“Sektorët e tjerë të ekonomisë, si institucionet financiare jobankare, korporatat jofinanciare, organizatat joqeveritare dhe ekonomitë familjare, në fund të tremujorit të parë të vitit 2013 kanë pasur një borxh bruto prej 274 milionë eurosh. Në këto kategori dominojnë kreditë tregtare të kompanive kosovare importuese të mallrave”, është thënë në raportin e BQK-së.(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)