Menaxhuesit e AKP-së, me mandat të dyshimtë
Prishtinë, 21 maj - Ish-kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Blerim Rexha ka thënë se ajo drejtohet nga menaxhues të cilët i ka skaduar mandati.
Në një deklaratë për median ai ka thënë se këtu përfshihet edhe drejtori Shkelzen Lluka dhe dy zëvendësdrejtorët, të cilët ia kanë vazhduar vetes mandatin në kundërshtim me procedurat ligjore.
Në mungesë të Bordit, pas skadimit të mandatit menaxhmenti ia ka vazhduar vetes mandatin, duke i vazhduar drejtori - zëvendësdrejtorit mandatin dhe anasjelltas. Nuk është hap i mirë që bordi të vazhdojë me menaxher që nuk ka mandat ligjor.\"
\"Patëm vendosur që mandati i menaxhmentit të shqyrtohet pas 100 ditëve të punës së Bordit, ka thënë Rexha. Sipas tij, ndryshimet edhe në menaxhment duhet të jenë të pashmangshme, shkruan Tribuna.
Në anën tjetër, në AKP thonë Ligji nuk e ka përcaktuar mandatin e drejtorit të AKP-së. Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka sqaruar se bordi i drejtorëve në mbledhjen e mbajtur më 26 janar 2011 ka marrë vendim për emërimin e Shkelzen Llukës në pozitën e drejtorit menaxhues, në përputhje me nenin 11 të Ligjit për shërbimin civil dhe udhëzimin administrativ për procedurat e rekrutimit të Ministrisë së Shërbimeve Publike. /albeu.com/
Vendimi i bordit të drejtorëve për emërimin e z. Lluka drejtor menaxhues nuk përmend kohëzgjatje të mandatit, ndërkaq mandati i z. Shkelzen Llukës në pozitën e drejtorit menaxhues është rikonfirmuar edhe nga bordi i tanishëm i drejtorëve në mbledhjen e mbajtur më 22.03.2013, ka thënë Kaloshi.
Ndërkaq, ai ka treguar se sa i përket kohëzgjatjes së mandatit të zëvendësdrejtoreshës së AKP-së, Mrika Tahiri, kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi e as nuk ka pasur askush dilema në lidhje me mandatin e saj.