Mehmeti informoi zyrtarët e Raiffeisen Bank lidhur me sistemin financiar
Prishtinë, 17 shtator - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka takuar Dr. Johan Strobl, Drejtor Kryesor Ekzekutiv i Raiffeisen Bank International, Peter Lennkh, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të Raiffesien Bank Kosovo dhe njëherësh Anëtar i Bordit Menaxhues të Raiffeisen Bank International, si dhe Robert Wright Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Bank Kosovo.
Në këtë takim u diskutuan zhvillimet pozitive të sektorit bankar, sfidat e ardhshme dhe roli i këtij sektori në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Guvernatori Mehmeti i informoi zyrtarët e Raiffeisen Bank lidhur me stabilitetin e sistemit financiar në vend dhe falënderoi përfaqësuesit e Raiffeisen Bank për përkrahjen e vazhdueshme, që ka dhënë në vazhdimësi për zhvillimin e sektorit financiar dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
Me këtë rast, Guvernatori Mehmeti uroi Raiffeisen Bank për hapjen e zyrës së re qendrore dhe falënderoi Dr. Strobl për investimet e Raiffeisen Bank në Kosovë, duke theksuar se ky investim është tregues i zotimit për të vazhduar përkrahjen e sektorit financiar edhe në të ardhmen.
Gjithashtu, Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Raiffeisen Bank lidhur me zhvillimet pozitive në përmirësimin e kornizës rregullative me qëllim të integrimit më të shpejtë të sektorit financiar të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Raiffesien Bank falënderuan Guvernatorin Mehmeti për përkrahjen e vazhdueshme të sektorit financiar dhe e përgëzuan BQK-në për iniciativat zhvillimore në funksion të avancimit të mbikëqyrjes së sistemit financiar.