Mehmeti informoi deputetët për parandalimin e konfliktit të interesit
Prishtinë, 4 prill - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka takuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, znj. Albulena Haxhiu- Kryesuese dhe anëtarët, Hajdar Beqa, Korab Sejdiu dhe Bahrim Shabani.
Temë diskutim në këtë takim ishte zbatimi i Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, nga ana e zyrtarëve përkatës të BQK-së.
Gjatë këtij takimi Guvernatori Mehmeti, informoi deputetët lidhur me veprimet, të cilat BQK-ja i ka ndërmarrë, në zbatimin e Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.
Guvernatori Mehmeti i ka njoftuar deputetët në fjalë se BQK edhe para hyrjes në fuqi të Ligjit në fjalë, ka ndërmarrë masa për parandalimin e situatave eventuale të konfliktit të interesit, përkatësisht, në çështjen e parandalimit të konfliktit të interesit nga ana e zyrtarëve të BQK-së, fillimisht përmes kornizës ligjore, ku këtë çështje e ka trajtuar dhe rregulluar me Ligjin Nr. 03./L- 209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, e më pastaj në mënyrë më të detajuar edhe me Kodin e Etikës dhe Mirësjelljes, i cili është pjesë përbërëse e Politikës për Marrëdhënie Pune në BQK.
Guvernatori. Mehmeti, informoi deputetët se më qëllim të parandalimit të konfliktit të interesit, përkatësisht zbatimit të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, dhe sipas kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsion, ka caktuar dy zyrtarë të BQK-së si përgjegjës për trajtimin dhe zgjidhjen e situatave eventuale të konfliktit të interesit, të cilat mund t’i shfaqen personelit të BQK-së gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.
Më tej, Guvernatori Mehmeti, theksoi se do të jenë në vazhdimësi të përkushtuar në zbatimin sa më të plotë të Ligjit nr. 06/l -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik dhe legjislacionit përkatës të BQK-së.